Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi ka qënë në Shkodër ditën e sotme për të zhvilluar një takim me strukturat për të nisur edhe përgatitjen e propozimeve të kandidatëve për deputetë.
I pyetur nga mediat e pranishme për rikthimin e figurave të vjetra të PD-së sërish në strukturat partiake, Bardhi ka dhënë vetëm sinjale jeshile. Në deklaratën e tij, ai e la të hapur mundësinë e kandidimit të ish-kryeparlamentares, Jozefina Topallit në listat e PD-së në zgjedhjet e ardhshme.
”Zonja Topalli është anëtare e Këshillit Kombëtar të PD-së. Ka qenë për 8 vite kryetare e parlamentit. Është një zë që ka dhënë kontribut të jashtëzakonshëm në Partinë Demokratike, por ka marrë mbështetje të jashtëzakonshme nga demokratët dhe PD,”– u shpreh Bardhi.
Pas largimit të ish-kryetarit Sali Berisha nga drejtimi i PD-së, menjëherë pas humbjes së zgjedhjeve të 2013, Topalli ishte gjithmonë e më kritike ndaj kryedemokratit Basha. Ajo ishte pjesë e PD-së deri në momentin kur nuk u vendos në listat e kandidatëve për deputetë në vitin 2017 bashkë me figura të tjera të demokratëve.
(dosja.al)