Nga Sokol Dema
Kanë kaluar nëntë ditë nga tërmeti shkatërrimtar i 26 nëntorit. Plagët janë akoma të hapura anë e kënd vendit, jo vetëm tek familjarët e viktimave, por edhe tek të gjithë shqiptarët. Së bashku me dhjetëra kolegë gazetarë të terrenit kemi raportuar nga zemra e tërmetit, aty ku në agoni kemi pritur me zemër në dorë shpëtimin e jetëve njerëzore poshtë rrënojave, e me zemër të thyer copash kemi raportuar për viktima, të cilat nuk ia dolën të dilnin të gjallë nga aty. Ka qenë një sfidë personale e profesionale imja e të gjithë kolegëve të mi, që në kushte të vështira kemi raportuar për ngjarjen më të rëndë të ndodhur ndonjëherë në vendin tonë. Ky brez gazetarësh do të ketë çfarë të tregoj pas vitesh të tëra, për dramën e jetuar pas atij mëngjesi që ndryshoi jetët tona, përgjithmonë.
Prej ditësh jemi sulmuar dhunshëm se kemi gabuar, nuk kemi raportuar siç duhet këtë ngjarje, e madje kemi shpërndarë panik e terror tek qytetarët. Jo zotërinj! Ne kemi raportuar nga zonat e prekura nga tërmeti, pa orar, në të ftohtë, përtej çfarëdolloj misioni gazetarie. Sepse një ngjarje e tillë nuk mund të raportohet vetëm me gjakftohtësinë e një raportimi. Jam i bindur se së bashku me të gjithë kolegët e mi kemi raportuar në maksimumin e mundshëm gjithçka ka ndodhur në terren. Ne aty kemi raportuar për situatën, të vërtetën dhe kemi refuzuar të raportojmë për propagandën e shëmtuar të shtetit, i cili edhe në ditë dhimbjesh kombëtare nuk hoqi dorë. Tani, para se të tregoni gishtin nga gazetarët, bëni mirë të pajisni me kushtet e nevojshme ata heronjë që kërkuan në rrënoja me zemër për të mbijetuar. Faji në këtë vend nuk janë gazetarët. Si asnjëherë më parë, krenar për çdo kolegë që ka raportuar për dhimbjen më të madhe që ka kapluar vendin tonë.