Gaza dhe terrori i gjithëpushtetshëm “demokratik”…

Shpërndaje

Nga Matteo Nucci

Kush ndjek çdo ditë masakrën e tmerrshme me të cilën, prej tetëmbëdhjetë muajsh, ushtria izraelite po shfaros popullsinë e Rripit të Gazës, është i vetëdijshëm, me një qartësi tragjike, për një gjë — sido që të përfundojë kjo histori.

Për botën tonë — atë botë në të cilën ne perëndimorët jemi rritur që nga paslufta e këtej — asgjë nuk do të jetë më si më parë. Asnjë ngjarje tjetër nuk ka vendosur kaq thellë një vijë ndarëse në historinë tonë të afërt kulturore. Asnjë angazhim ushtarak, sado i tërthortë, asnjë tragjedi apo revolucion nuk ka pasur një ndikim të tillë, edhe pse ende ngurrojmë ta pranojmë. Sepse kurrë më parë, ne Vendet perëndimore, nuk kishim mbështetur apo justifikuar diçka kaq tronditëse.

Në fakt, gjithçka ishte e qartë që në fillim. Që në momentet e para të asaj që shumë ende ngulin këmbë ta quajnë luftë, u pa se ishte një “vetëvrasje e Izraelit”, por edhe “vetëvrasje e Perëndimit”, sepse tejkalimi i beftë, i hapur, dhe i qëllimshëm i disa vijave të kuqe vuri në krizë sigurinë mbi disa vlera qytetërimore që gjithmonë i kemi pohuar, i kemi jetuar me krenari dhe tashmë i kishim marrë pothuajse si të mirëqena. Shënjestrimi i pafundëm i civilëve — veçanërisht i fëmijëve, punonjësve të ndihmës së shpejtë, mjekëve; përdorimi i urisë dhe etjes si armë; arrestimet, torturat dhe poshtërimet pa dallim; shkatërrimi i plotë i një bote të tërë: shkolla, universitete, gjendje civile, regjistra pronësie; përdorimi tronditës i armëve të çdo lloji, një forcë krejtësisht e pabarabartë për të zhdukur, copëtuar, fshirë çdo gjë — si të ishte një ëndërr absurde e një tej-njerëzimi; e gjithë kjo që kemi parë, pothuajse në kohë reale, në pamje që na kanë mbërritur që në ditët e para të kësaj masakre të pafund, duhej të mjaftonin për të na bërë të vetëdijshëm në çast.

Ndërsa intelektualë, studiues, politikanë dhe opinionistë  debatonin ashpër mbi aspektin gjuhësor — sa e përshtatshme ishte fjala “genocid” për të përshkruar masakrën në zhvillim e sipër (një mizerje kulturore që, më vete, mjafton për të na hapur sytë mbi humnerën ku kemi rënë) — ata që i ndoqën ngjarjet në kohë reale përmes burimeve të drejtpërdrejta që sot janë lehtësisht të aksesueshme, e kishin kuptuar prej kohësh sa dramatik ishte kapërcimi i asaj vije që dikur konsiderohej e pakalueshme.

E megjithatë, sot, pas një viti e gjysmë vdekjeje, ne vazhdojmë të precipitojmë edhe më thellë. Fundi nuk preket kurrë. Ngjarjet që vërtetojnë këtë rrëshqitje drejt absurditetit po shumëfishohen, dhe herë pas here përmblidhen në imazhe tronditëse, të padiskutueshme. Vetëm dje u shfaq një video ku shihen flakët që përpijnë trupat e fëmijëve të goditur në gjumë, në tendat e tyre në Al Maëasi – Khan Younis. Disa prej tyre i dimë me emër, njohim historitë e tyre. Por nuk i tregojmë, sigurisht. Nuk u kushtojmë emisione, as reflektime — dhe arsyeja është e qartë: të gjithë ne jemi bashkëpërgjegjës për ato vdekje. Por duhet të dimë, edhe këtë: në ëeb, shumë njerëz festojnë.

Lajmi festohet me shishe shampanje dhe tapa që fluturojnë, me copa letre shumëngjyrëshe që shpërthejnë nga kapele të hapura, me zemra që rrahin, lajke, krahë muskulorë dhe, natyrisht, flakadanë — pra gjithë arsenali që tregon aprovim në rrjetet sociale. Kemi shkuar përtej, në fakt. Përtej çdo pike pa kthim. Si është e mundur, vallë, të festosh, të qeshësh, të brohorasësh, të japësh pëlqim dhe të hapësh shampanjë përballë fëmijëve të djegur të gjallë? Le të reflektojmë. Si kemi arritur deri këtu? U nis fillimisht me retorikën e çmimit të pashmangshëm që duhet paguar. Pastaj u përsërit refreni i “përdorimit të civilëve si mburojë”. Dhe çdo herë, versioni zyrtar përsëriste se mes viktimave kishte luftëtarë të Hamasit — një justifikim pothuajse kurrë i vërtetuar dhe, madje, shpesh i përgënjeshtruar në mënyrë tragjike nga faktet konkrete, si në rastin e pesëmbëdhjetë punonjësve të  ekipit mjekësor të ekzekutuar mizorisht.

Sa herë, zërat që miratonin dhe justifikonin kanë qenë të shumtë. “Po e bëjmë këtë luftë për ju”! Ky ishte refreni që u përsërit pa pushim nga ata që, mes nesh, kërkuan të legjitimonin arsyetimin se “duhej të përlyheshim”, sado të dhimbshme të ishin pasojat. Dhe ja pasojat janë para syve të të gjithëve: sot, kush vazhdon të shprehë indinjatë, është nën sulm. Deportimi i të rinjve aktivistë në dy vende simbol si Shtetet e Bashkuara dhe Gjermania tregon qartësisht vijën që po ndiqet. Në emër të një epërsie të supozuar demokratike, gjithçka është bërë e mundur — çdo tmerr, çdo krim i përbindshëm.

E kemi gjithnjë e më të vështirë të imagjinojmë një të ardhme. E megjithatë, e ardhmja është pikërisht demokracia — jo thjesht një mekanizëm votimi elektoral, por para së gjithash respekti për pakicat. Dhe ajo ka vendosur gjithmonë disa vija të qarta ndarëse. Që në fillesat e saj ka pasur gjithmonë nga ata që e kanë çuar në krizë demokracinë, veçanërisht kur ajo kthehet në mjet terrori. Mjafton të kujtojmë Tukididin, për shembull, i cili e përshkruan dhe e denoncon delirin e gjithëpushtetit në të cilin bie qyteti “i tij”. Duhet të ketë edhe sot historianë, intelektualë e gazetarë që janë të gatshëm të denoncojnë. Mbi ta — pra mbi ne — bie një detyrë e madhe morale. Sepse është e vërtetë që nuk do të ketë një kthim pas. Por përpara ama mund të ecet në shumë mënyra. Dhe rruga jonë e vetme është ajo që na shënjojnë, para së gjithash, ata që në Gaza vazhdojnë të rrëfejnë të vërtetën. Janë të paktën dyqind e dhjetë gazetarë të vrarë — një numër i tmerrshëm, i pashembullt. Është ky horror i radhës që na kujton, më qartë se kurrë, se cili është detyrimi ynë.

Publikuar në “Il Manifesto” më 19 prill 2025 me titull: “Gaza, l’onnipotenza «democratica» del terrore”

Shpërndaje