Gaza, çifti palestinez që u martua dy ditë më parë, vritet në sulmin izraelit…

Shpërndaje

Çifti i ri palestinez që u martua 2 ditë më parë në Rripin e Gazës, humbi jetën në sulmin ajror që Izraeli kreu në qytetin Rafah, raporton Anadolu.

Ushtria izraelite dje kreu sulm ajror ndaj rajonit Khirbat Al-Adas në qytetin Rafah në të cilin janë strehuar 1.4 milion palestinezë.

Çifti Abdullah Ebu Nahl dhe Meryem Dib të cilët u strehuan në Rafah pas largimit nga sulmet izraelite në Rripin e Gazës dhe të cilët u martuan këtu dy ditë më parë, humbën jetën në një sulm të kryer dje ndaj Khirbat Al-Adas.

Në sulm humbën jetën 6 persona dhe u plagosën 3 të tjerë nga familja e dhëndrit Ebu Nahl.

Palestinezët që jetojnë në Rripin e Gazës, mbijetojnë pavarësisht sulmeve të Izraelit të cilët shënjestrojnë civilët. Po ashtu dy ditë më parë u martuan edhe çifti Mahmoud dhe Shayma Hazik që u strehuan në qytetin Deir al-Balah pasi braktisën shtëpinë e tyre në qytetin e Gazës.

Qyteti Rafah ku janë strehuar palestinezët e zhvendosur

Në qytetin Rafah, të vendosur në jug të Gazës në kufirin me Egjiptin banonin rreth 280 mijë palestinezë para sulmeve izraelite. Për shkak të sulmeve të nisura nga Izraeli më 7 tetor 2023, 1.9 milionë njerëz u zhvendosën në Rripin e Gazës, i cili ka një popullsi prej rreth 2.3 milionë banorësh.

Shumica e palestinezëve të zhvendosur u strehuan në Rafah, për të cilin Izraeli më parë kishte pretenduar se ishte “i sigurt”. Popullsia e qytetit Rafah u katërfishua, duke arritur në 1.4 milion me të ardhurit nga rajonet veriore të Gazës.

Për shkak mungesës së strehimit të mjaftueshëm, një pjesë e madhe e palestinezëve që u strehuan në Rafah luftojnë për të mbijetuar në kampet e krijuara me tenda të improvizuara.

Forcat izraelite shënjestrojnë qytetin Rafah me sulme të shpeshta ajrore. Ka shqetësim se nëse Izraeli fillon sulm tokësor ndaj qytetit Rafah, civilët nuk do të kenë strehim në Rripin e Gazës.

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu, më 9 shkurt urdhëroi ushtrinë izraelite dhe agjencinë e sigurisë për “përgatitjen e një plani për të sulmuar qytetin Rafah”.

Shpërndaje