Gara për kryetarin, PD mbledh Kryesinë dhe Këshillin…

Shpërndaje

Paralelisht me turin e falenderimeve që ka nisur në rrethe, Lulzim Basha do të mbledhë pasditen e së dielës Kryesinë dhe Këshillin Kombëtar. Në fokus të dy takimeve të thirrura nga kryedemokrati do të jenë zgjedhjet e 25 Prillit dhe analiza e rezultatit në çdo qark.

Këto zgjedhje nuk u fituan nga koalicioni opozitar dhe Lulzim Basha i cilëson si masakër të bërë nga Edi Rama, duke paralajmëruar një betejë të ashpër në Kuvend e jashtë tij me nisjen e sesionit të ri.

Por deri në Shtator, një tjetër betejë e pret kryedemokratin në shtëpinë e tij, ku tashmë zërat që i kërkojnë largimin janë shtuar pas humbjes në zgjedhje.

Një propozim për garën për kryetarin pritet t’i vijë nga Fatbardh Kadilli, anëtari i Kryesisë që ka shpallur publikisht kandidimin për kryetar të Partisë Demokratike dhe kryetari i Këshillit Kombëtar, Bujar Nishani, të cilët prej javësh i kërkojnë të japë dorëheqjen, duke e bërë përgjegjës kryesor për humbjen e demokratëve në 25 Prill.

Televizioni Klan ka mësuar se vetë Lulzim Basha do të hedhë në diskutim propozimin për shpalljen e zgjedhjeve brenda Partisë Demokratike, duke kërkuar afrimin e datës për mbajtjen e tyre përpara 22 Korrikut, që përkon edhe me mbarimin e mandatit të kryetarit.

Pavarësisht se kundërshtarët e tij i kërkojnë të largohet e të hapë një proces të ndershëm, mësohet se edhe në garën e re për kreun e Partisë Demokratike, Lulzim Basha do të jetë pjesë e procesit, duke kërkuar një votëbesim nga demokratët për t’i drejtuar edhe për katër vitet e ardhshme.

Mbetet për t’u parë nëse pjesë e diskutimeve në Kryesi e Këshill do të jetë futja në zgjedhje e të gjithë kupolës drejtuese të Partisë Demokratike.

Pak ditë më parë dorëheqjen e dha edhe Sekretari Organizativ i Partisë Demokratike, Sahit Dollapi, ndërsa ditët e fundit, Lulzim Basha është takuar edhe me kryetarin e Komisionit të Zgjedhjeve në selinë blu, Jemin Gjana.

Shpërndaje