Numri në total prej 26 aplikimeve në garën për kreun e Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore është reduktuar në vetëm 5, të cilët janë tashmë në një filtër më të detajuar për të përzgjedhur vetëm njërin. Mediat bëjnë me dije se në pesëshen e përzgjedhur nga ministri i Brendshëm Taulant Balla janë: Indrit Hitaj, Florian Sulejmani, Ramadan Çaço, Xhavit Shala dhe Gentjan Shehaj.
Ata janë përzgjedhur përmes një gare për plotësimin e kritereve që AMP përcaktoi që në krye të herës, të cilat përfshijnë aftësitë profesionale në një karrierë jo më pak se 10 vite në një strukturë sigurie apo në sistemin e drejtësië dhe sigurisht me integritet figure e morali. Emri më favorit që përflitet se do të marrë besimin për t’iu propozuar kryeministrit Rama nga ministri Balla është ai i Florian Sulejmanit, por nuk përjashtohen surprizat.
Ai prej pak muajsh është larguar nga detyra që mbante në AMP nga ish-drejtuesi Ardi Veliu. Ndërkohë, emrat e tjerë në garë kanë po ashtu të shkuar të gjatë në SHÇBA (ish-AMP) apo në Policinë e Shtetit.
Mes tyre është edhe Xhavit Shala, ish-drejtues i lartë policie, aktualisht drejtor i Qendrës së Kërkimeve Shkencore në Akademinë e Sigurisë. Burime nga ministria e Brendshme bëjnë me dije se është çështje orësh që të Balla të përzgjedh njërin prej emrave për propozim, i cili duhet të marrë miratimin e kreut të ekzekutivit. Agjencia e Mbikëqyrjes Policore, përveç kontrollit të bluve kur kalojnë kompetencat që u jep detyra, prej disa muajsh po kryen hetim në kuadër të vetting-ut për 72 drejtuesit e parë, për të cilat akoma nuk ka vendime.