Tenderi është hapur nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, ndërkohë që Balluku ndau detajet e projektit, që do të lidhë me hekurudhë Shqipërinë me Malin e Zi.
“120 km, me shpejtësi 120 km në orë me 12 stacione, 12 ura dhe një tunel 320 m në zonën e Lezhës. Totali i investimit 370 milionë euro, të ofruara 50% në formë grant inga BE dhe 50% nga bankat, pra BERZH dhe BEI.”
I pranishëm në ceremoni ishte edhe ambasadori i Bashkimit Evropian në vendin tonë, Silvio Gonzato, i cili tha se ndërtimi i kësaj hekurudhe do t’i shërbejë jo vetëm lëvizjes së qytetarëve, por edhe zhvillimit të turizmit dhe uljes së emetimeve në ajër.
“Ky projekt, pra siç e thamë, do të sjellë përfitime konkrete për të gjitha qytetarët. Por, do të sjellë edhe më shumë turizëm, turizëm ndërkombëtar. Tani, sa u përket këtyre mënyrave të transportit ekologjike, kjo është shumë e rëndësishme edhe për marrëveshjen e gjelbër të BE, dhe natyrisht që kjo do të jetë pjesë edhe e objektivave të Shqipërisë sepse linjat hekurudhore me energji elektrike, do të ulin në fakt ndikimin në mjedis të transportit.”
Ndërkaq, Balluku bëri me dije edhe ecurinë e punimeve në hekurudhën Tiranë – Durrës që aktualisht kanë arritur në masën 80%, ndërsa dha detaje edhe për 2 akset e korridorit 8 hekurudhor.
“Është siguruar financim prej 120 milionë eurosh edhe për linjën Durrës-Rrogozhinë me një gjatësi 34 km sërish me të njëjtin instrument mbështetur nga BE, nga BERZH dhe nga BEI. Kemi gati projektin.”
Paralelisht, ka përfunduar projekti që do të lidhë me hekurudhë Shqipërinë me Kosovën. Ndërkohë që, përveç projekteve me financim të huaj, qeveria synon të finacojë edhe projektet për ndërtimin e hekurudhës nga Aeroporti I Vlorës, në Vlorë, si dhe linjës Vlorë – Rrogozhinë.