Garanton furnizimin me energji elektrike gjithë Shqipërisë, por vetë fshati i Fierzës jeton në errësirë.
Që prej 23 dhjetorit, banorët janë pa energji, për shkak të djegies së një bobine në kabinën elektrike të zonës. Edhe pse e kanë ngritur disa herë shqetësimin, askush nuk është paraqitur për ta riparuar, ndërsa shumë banorëve u janë dëmtuar mjetet elektroshtëpiake.
“Ky rrjet është i amortizuar në këtë gjendje që sa të bie bora e parë, e këput dhe e lëshon në tokë. 500 metra e kemi hidrocentralin e Fierzës larg, por jemi fshati më i prapambetur sot për rrjetin elektrik.
Që nga data 23 dhjetor janë shkëputur dhe jemi në terr deri sot.
Është djegur një bobinë te kabina e fshatit Fierzë, dhe pothuajse gjysmës së katundit shumë pajisje si frigoriferë e lavatriçe u janë djegur për një neglizhencë që për ne është e madhe, por për ju si shtet ndoshta s’ka shumë vlerë”, thonë banorët.
Prej vitesh linjat elektrike të ndërtuara që në kohën e elektrifikimit, ata i riparojnë vetë duke rrezikuar jetën.
Edhe pse fshati Fierzë është në juridiksionin e bashkisë Fushë-Arrëz, rrjeti energjetik atje mbikëqyret nga OSHEE e Bajram Currit, prej të cilës banorët presin ndërhyrjen e menjëhershme.