Drejtori i Gjendjes Civile, Bledar Doracaj, tha në emisionin “Real Story” të gazetarit Sokol Balla, në News24, se nuk ka shifrën e vdekjeve që pretendon opozita në Bashkinë e Shkodrës, përgjatë kësaj periudhe të përhapjes së koronavirusit.
Sipas të dhënave të gjendjes civile, në muajt janar, shkurt dhe mars, në Shkodër numri i viktimave nuk e kap shifrën 300.
Por, kjo gjë është kundërshtuar live nga akademiku Artan Fuga, i cili tha se ka të dhëna, që në Shkodër numri i viktimave është 388, dhe se 30-35 vdekje të ndodhura në muajin mars nuk janë shënuar, pasi zyrat e gjendjes civile kanë qenë të mbyllura.
Pjesë nga debati:
Dobracaj: Nuk kam një shifër sa opozita pretendon në Shkodër. Në Bashkinë e Shkodrës, ashtu si dhe në bashkitë e tjera, çregjistrimet kryhen nga familjarët. Një bashki nuk mund të ecë me studime, duke krahasuar shifra. Bashkia e Shkodrës ka shifrat që kemi ne, që tregojnë se në muajin mars numri i vdekjeve është thuajse i njëjtë me shkurtin.
Fuga: Jam pak i shqetësuar, sepse ne themi ku është burimi i parë i informacionit? Sipas të dhënave, që më kanë sjellë mua, në Shkodër ka 388 të vdekur. Më kanë informuar që janë rreth 30-35, që kanë humbur jetën në mars, por zyrat e gjendjes civile kanë qenë të mbyllura, dhe janë regjistruar në prill. Ka një diferencë shumë të madhe mes regjistrit që ka atje dhe të dhënave që deklarohen. Shqetësimi im është ky, që publiku duhet të dijë saktë çfarë ndodh. Por, të gjitha këto japin pasoja. Ka një diferencë të dhënash, që është shumë serioze. Edhe bashkia e Shkodrës, edhe gjendja civile, edhe mjekët, duhet të shkojnë atje dhe të zbulojnë shifrat e vërteta. Po krijohet një kaos, po bëhet propagandë dhe politikë me vdekjen. As në kohën e Perandorive, që kanë sunduar Shqipërinë, nuk ka ndodhur që gjendja civile të mos shënojë vdekjet.
Doracaj: Regjistri kombëtar i gjendjes civile nga viti 2010 është elektronik dhe shënimet bëhen të gjitha në një system, që mirëmbahet nga një kompani e huaj dhe nuk ka të bëjë fare me Shqipërinë. Ne mbajmë përgjegjësi për çdo veprim që kryhet në gjendjen civile, që bëhet vetëm mbi bazën e dokumenteve origjinale. Gjatë pandemisë, gjendja civile në Shkodër ka funksionuar plotësisht, pasi bashkia kishte urdhëruar të vijonte puna. Përpara se të bëjmë propagandë, duhet të bëjmë llogari zotëri.
(BalkanWeb)