FSHZH, 4.8 milionë euro për ndërhyrjet në akset rrugore zonave turistike…

Shpërndaje

Fondi Shqiptar i Zhvillimit (FSHZH) synon të ndërhyjë në katër rajone të vendit që kanë potencial turistik dhe ekonomik për të përmirësuar gjendjen e akeseve të rrugëve lokale.

Dy kontrata të prokuruara në sistemin e Agjencisë së Prokurimit Publik tashmë kanë dy emra kompanish të njoftuara si fituese ku secila do të mbulojë dy rajone.

Konkretisht FSHZH njoftoi se për kontratën ““Ndërhyrje për përmirësimin e Strukturave mbrojtëse, veprave të artit, Rajonet 1&2” me fond limit 375 milionë lekë është shpallur fituese operatori ekonomik “Vëllezërit Hysa” me një ofertë 234 milionë lekë. Kjo ofertë është sa 62.6 për qind e fondit limit. Në procedurën e dytë “Ndërhyrje për përmirësimin e Strukturave mbrojtëse, veprave të artit, Rajonet 3&4” fituese është shpallur kompania Alb Building.

Oferta e kësaj të fundit ishte 292 milionë lekë apo sa 78 për qind e fondit limit të vënë në dispozicion. Në total vlera e dy kontratave pa TVSH është 527 milionë lekë apo rreth 4.8 milionë euro. Kontratat do të kenë një afat zbatimi prej 24 muajsh dhe do të shtrihen në njësi të ndryshme sipas nevojës që konstatohet në terren, të paktën kështu specifikojnë dokumentet e Fondit Shqiptar të Zhvillimit.

“Nisur nga shqetësimi i përfaqësuesve të Njësive të Vetëqeverisjes Vendore (NjVV), FSHZH ka bërë thirrjen për evidentimin në terren dhe projektimin të disa prej akseve rrugore, të cilat janë me problematikë për qarkullimin e automjeteve pothuajse gjatë gjithë periudhës kohore, por kryesisht gjatë periudhës me shira. Verifikimi në terren do të bëhet kryesisht për akset rrugore, të cilat lidhin zona turistike që kanë potencial për zhvillimin e ekonomisë, segmente rrugore në zona rurale, kjo në përputhje dhe komplementare me programet e zhvillimit lokal dhe rajonal.

Pas evidentimit në terren të këtyre akseve rrugore do të përzgjidhen segmentet të cilat paraqesin dëmtime të shtresave rrugore, gjendja teknike e tyre është jashtë standardit dhe lëvizja e automjeteve bëhet me vështirësi si dhe konsiderohen akse me prioritet nga NjVV për t’u rehabilituar” thuhet në dokument.

Sipas FSHZH ky projekt parashikon gjithashtu edhe ndërtimin e rrugëve të reja, të cilat nuk kanë gjurmë ekzistuese, por që vlerësohen për ndikimin që do të japin në zhvillimin ekonomik dhe social te zonës, duke konsideruar lidhjet me zonat e parashikuara për agroturizëm, lidhjet me objektet e kultit. Për rikonstruksionin e rrugëve parashikohet të ndërhyhet në disa kategori punimi./monitor/

Shpërndaje