“FSHF po merr hak ndaj nesh”, klubi i “Murlanit” do bëjë kërkesë për të luajtur në Kosovë ose Mal të Zi…

Shpërndaje

Përjashtimi nga e drejta për të marrë pjesë në kampionatin e ri kombëtar të futbollit të femrave, është konsideruar si shenjë hakmarrje nga ana e FSHF-së në adresë të drejtuesve të KF Murlanit të cilët kanëdalë hapur kundër tyre në zgjedhjet e fundit.

Si rrjedhojë e kësaj, ditën e sotme pjestarë të këtij ekipi kanë ftuar mediat në fushën sportive të Barbullushit për të dhënë një prononcim në lidhje me këtë situatë të krijuar dhe po ashtu, për të bërë publike edhe rrugët që do të ndiqen për ta kërkuar deri në fund të drejtën e tyre.

Në emër të KF Murlanit ka folur drejtori sportiv i tij Kujtim Shaba i cili ndër të tjera, është shprehur se ky veprim i Federatës është krejtësisht i pakuptimtë dhe keqdashës.

“Ne jemi duke ndjekur të gjitha rrugët ligjore si brenda vendit po ashtu do ta çojmë këtë çështje deri në Lozanë të Zvicrës. Do ta ndjekim të drejtën ligjore deri në fund sepse askush nuk mund të na e privojë dëshirën për të luajtur futboll, pa lënë mënjanë edhe investimin shumë të madh që presidenca ka bërë për këtë klub.

Nga ana tjetër, për të mos i lënë këto vajza pa luajtur futboll, jemi duke kontaktuar me Federatat e Malit të Zi dhe të Kosovës, për të parë mundësinë e marrjes pjesë në kampionatet e tyre.

Përderisa në Shqipëri nuk na dojnë dhe po na e heqin këtë mundësi për të marrë pjesë në kampionat, po shohim edhe këtë opsionin tjetër”- është shprehur ndër të tjera Shaba. 

Shpërndaje