Fredi Belerit i jepet leje, shkon për betim në Strasburg…

Shpërndaje

Rrëzohen pretendimet dhe aludimet e Greqisë se qeveria shqiptare do të bllokojë betimin e Fredi Belerit e si pasojë do t’i digjet mandati si eurodeputet.

Burime nga drejtoria e burgjeve i konfirmuan gazetarit të Top Channel Muhamed Veliu se është miratuar leja që ai të udhëtojë e të bëjë betimin pasi nuk ka ndonjë pengesë ligjore tashmë që ka marrë një dënim të formës së prerë.

Pritet që Beleri të udhëtojë drejt Strasburgut të hënën.

Ky është një rast i paprecedentë kur një i dënuar me formë të prerë do t’i duhet të lërë qelinë nga një burg shqiptar, e të udhëtojë jashtë vendit.

Do të jetë komisioni i lejeve në drejtorinë e përgjithshme të burgjeve ai i cili do të vendosë për modalitetet e sigurisë të udhëtimit.

Nëse do të shoqërohet Beleri nga punonjës të policisë së burgjeve shqiptare apo do të jetë policia e Strasburgut ajo e cila do ta presë në aeroport e përsëri do ta çojë në aeroport për kthim në Shqipëri kjo nuk është vendosur ende.

Në zgjedhjet e fundit për parlamentin europian Fredi Beleri ishte në mesin e fituesve nga lista e kandidatëve për eurodeputet, të Partisë “Demokracia e Re “ të kryeministrit grek Kyriakos Mitsotakis.

Beleri ka marrë 237 mijë vota, eurodeputeti i katërt më i votuar në shtetin helen, ndërsa po i katërti rezulton edhe në listën e 7 deputetëve të dalë nga lista e partisë Demokracia e Re.

Si çdo eurodeputet tjetër, nga data 16 korrik deri në 19 korrik, Beleri duhet të jetë fizikisht në Bruksel për të kryer betimin.

Top Channel

Shpërndaje