
Franca ka shprehur një gatishmëri të re për të bashkëpunuar me Britaninë në çështjen e migracionit. Ministri i Brendshëm francez, Bruno Retailleau, theksoi se një marrëveshje për riatdhesimin e emigrantëve do të dërgonte një mesazh të qartë për ata që kërkojnë të kalojnë ilegalisht Kanalin e La Manshit.
Kjo mund të shënojë një ndryshim të rëndësishëm, pas viteve negociatash të dështuara mes dy vendeve. Një marrëveshje e tillë jo vetëm që do të ndikonte në politikën e emigracionit, por edhe do të godiste rrjetet e trafikantëve që përfitojnë nga situata e emigrantëve.
Trafikantët shqiptarë shmangin anijet, zgjedhin kamionët
Ndërkohë, disa emigrantë shqiptarë kanë ndryshuar mënyrën e udhëtimit për në Britani, duke lënë pas gomonet dhe duke përdorur kamionët si mjet transporti. Trafikantët po përdorin rrjetet sociale për të reklamuar këto rrugë, duke i fshehur postimet e tyre si artikuj lajmesh. Kjo ka bërë që shumë emigrantë të kalojnë pa u diktuar nga autoritetet britanike.
Megjithatë, kjo metodë ka një kosto të lartë, me çmime që kanë arritur deri në 23,000 paund për person, duke e bërë udhëtimin përmes kamionëve më të shtrenjtë. Reklamat e trafikantëve në TikTok shpesh promovojnë mundësi pune në aktivitete kriminale, si kultivimi i kanabisit apo vjedhjet, duke përfshirë edhe persona të lidhur me futbollistë të Premier League.
Pavarësisht përpjekjeve të TikTok për të fshirë këto postime, trafikantët vazhdojnë të krijojnë llogari të reja dhe drejtojnë klientët përmes WhatsApp, duke vështirësuar operacionet e autoriteteve për t’i ndaluar.
Ndryshimi i ligjit dhe ndikimi në trafik
Një burim i brendshëm tha se ndryshimi i ligjit britanik në vitin 2023, që e kategorizoi Shqipërinë si një vend të sigurt, ka ndikuar në strategjinë e trafikantëve.
“Nëse një emigrant vjen me gomone, ai do të dërgohet në një qendër emigracioni dhe brenda disa ditësh do të deportohet në Shqipëri,” shpjegoi burimi. “Për këtë arsye, ata po përdorin kamionët për të shmangur çdo kontakt me autoritetet.”
Për pasojë, çmimi i kalimit ka pësuar rritje nga 18,000 paund në 2023, në 23,000 paund aktualisht.
Një nga llogaritë në TikTok, e quajtur shqipet_london, publikoi reklama gjatë marsit, duke ofruar udhëtime të sigurta për në Britani me shoferë polakë dhe britanikë të kamionëve. Në disa postime, trafikantët premtonin kalim 100% të garantuar dhe pagesë pas mbërritjes në Londër.
Autoritetet britanike: Trafikantët po bëhen më të dhunshëm
Sekretari i Jashtëm britanik, David Lammy, tha se grupet kriminale po shfrytëzojnë pasigurinë në Ballkanin Perëndimor dhe po rrezikojnë jetë për përfitime financiare.
“Këto banda janë gjithnjë e më të dhunshme dhe përpiqen të fitojnë sa më shumë para duke shkelur ligjin,” tha ai. “Ballkani Perëndimor mbetet kritik për sigurinë e Britanisë dhe Europës, dhe ne jemi të angazhuar për të forcuar stabilitetin në këtë rajon.”