DRTK Shkodër kujtoi fotografin e mirënjohur Angjelin Nenshati, duke ndarë në rrjetet sociale foto të aparatit të tij fotografik AGFA, me të cilin Nenshati fiksoi ngjarje të rëndësishme të historisë së qytetit të Shkodrës e më gjerë.
Ai ushqeu pasionin e tij për fotografinë qëkur ishte 14 vjeç, periudhë që përkon dhe me angazhimin e tij në laboratorin-atelier të fotografit të njohur Rraboshta në Shkodër.
Në moshën 18-vjeçare, aparatin AGFA, Angjelinit ia pati blerë si dhuratë xhaxhai i tij me të cilin i lidhte ngushtësisht një pasion i përbashkët, “fotografia”. Sot ky objekt është pjesë e arkivit të familjes së fotografëve Nenshati.
Fotografi Angjelin Nënshati, lindi në Shkodër në vitin 1929. Studimet e para i kreu në Kolegjin Saverian e mbas mbylljes së tij, në gjimnazin “28 Nëntori” në Shkodër. Formimi i tij zë fill në mënyrë autodidakte.
Impakti me fotografinë erdhi nga rasti fatlum i të rënit në dorë që herët i një aparati fotografik, me të cilin bëri shkrepjet e para në kontekstin e një qyteti me traditë në këtë fushë. Me vendosjen e regjimit komunist, për t’iu shmangur disi persekutimit për prirjet e tij demokratike e fetare, nga viti 1948 kur vendoset në Pukë e deri në 1957, është arsimtar pranë shkollave të ndryshme, por kjo nuk e pengon të punojë edhe në fushën e fotografisë.
Që herët, edhe falë lidhjeve familjare, ai qëndron pranë fotografit të njohur në Shkodër, Pjetër Rraboshta, gjë që e plotësoi formimin e tij në drejtim të proceseve të laboratorit. Në vitin 1958 hyn në kooperativën shtetërore ku punon si fotograf. Në vitet ’70 i bashkohet Gegë Marubit në aktin e dhurimit të fondit fotografik personal. Ky fond i ruajtur në Fototekën Marubi dhe i pasuruar më tej prej tij, numëron mbi 228.000 imazhe të shkrepura në film rul 24x36mm.
Angjelin Nënshati ishte fotografi që ndiqte eventet social-kulturore të vendit, por edhe familjet qytetare në ritualet e ndryshme të jetës së tyre. Aktiviteti i tij u realizua më shumë jashtë studios se brenda saj.
Punoi në repartin e fotografëve deri sa arrin moshën e pensionit në vitin 1989. Realizoi fotografi të zhanreve të ndryshme, por është shumë afër atij të reportazhit. Krahas fondit të tij në Muzeun Kombëtar të Fotografisë “Marubi”, famija zotëron një fond të pasur me fotografi, kryesisht me ngjyra.
Ai ishte autori që ndoqi nga afër ngjarjet më të rëndësishme të qytetit, lëvizjet e ndryshme demokratike të viteve ’90, momentet e kthesave të rëndësishme, rifillimin e kremtimeve fetare, rihapjen e kishave e xhamive. Më 1993 fotografoi vizitën e Papa Gjon Palit II dhe Nënë Terezës së Kalkutës në Shqipëri. Më 1996 bashkë me djemtë e tij hap studion fotografike “Nenshati”. Angjelin Nënshati u nda nga jeta në vitin 2008./ATSH/