Vijon te jetë mister zhdukja e tre të rinjve nga Malësia e Madhe dhe akoma nuk ka asnjë gjurmë të tyre. Ndërsa tashmë ka një pistë kryesore hetimi, ajo e vrasjes si pasojë e konfliktit për parcelat e kanabisit.
Një gjë e tillë bëri që në Shkodër të mbërrinte drejtori i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu së bashku me krerët më të lartë të policisë. Ai zhvilloi një takim të mbyllur me kreun e Policisë së Shkodrës dhe atë të Malësisë së Madhe ku urdhrat ishin të prera; zbardhja sa më e shpejtë e kësaj çështjeje!
Policia tashmë ka përcaktuar itenerarin e lëvizjes së personave para se të zhdukeshin pa lënë gjurmë. Makina në foto tashmë e sekuestruar nga policia është në pronësi të Olsion Çutaj, vëllai i Vilson Çutaj, i cili duket se është pjesë e kësaj ngjarjeje Kjo makinë ka shërbyer për të lëvizur drejt fshatit Vrith të Olsionit, Vilsonit dhe Klement Pepajt për t’u takuar me Danjel Pepajn për shkak se dyshohej se ky i fundit ka vjedhur një sasi kanabisi.
Takimi nuk ka shkuar as pak mirë ku Vilsoni, Klementi kanë ushtruar dhunë ndaj Danjelit jashtë dhe brenda makinës për disa ku më pas dyshohet se Danjeli është larguar.
Më pas Danjeli ka shkuar në drejtim të Zagorës ku dyshohet të ketë fshehur më parë armën dhe ka thirrur për t’u sqaruar Vilsonit dhe Klementit dhe për ty kthyer sasinë e drogës së vjedhur .
Deri në një farë rruge janë shoqëruar nga Olsioni në makinën në foto e më pas janë larguar në drejtim të lartësisë për të mos u kthyer më. Kjo gjë ka shkaktuar dhe shqetësim tek Olsioni, i cili 24 orë më vonë ka bërë dhe denoncimin në polici.
Vilson Çutaj mësohet të ketë vetëm pesë muaj i liruar, ku më parë ka qenë i burgosur në burgun e Reçit . Ky i fundit ka vuajtur dënimin prej tre vjetësh për shkak të kultivimit dhe shpërndarjes së lëndëve narkotike.
Ndërkohë dhe situata në zonën e Vrithit nuk është aspak e mirë. Afërsia mes banesave të Klementit dhe Danjelin ka krijuar jo pak tensione dhe një situatë të nxehtë e si pasojë në zonë prej ditësh ka prani të shtuar të forcave të policisë. Ndërkohë vijojnë kërkimet në të gjithë zonën.