Në oborrin e familjes Barbullushi, lulet kanë shërbyer si frymëzim për krijuesit e mirënjohur shkodran, Zyhdi e Jetmir Barbullushi, babë e bir.
Lulet shumëngjyreshe si: karajfili, mullaga, jasemini, lule bora, lule kumbulla, zambakët, vjolet shumëllojshmëri drandofillesh erë mirë, ojma, lule krapi, erbaroza, sheboja e gladiola, mandarina, portokalli e limoni, janë aureola e këtij oborri, që edhe sot ruan me fanatizëm kultivimin e tyre.
Në këtë shtëpi mbi 100 vjeçare kanë jetuar 4 breza që kanë ditur të përcjellin traditën e të parëve duke kultivuar plot pasion në bahçen e tyre lulet, si tregues i një pasurie të paçmuar shpirtërore.
Bahçja shkodrane e kësaj familje, Zyhdi, Shemsi e Ruzhdi Barbullushi , fëmijët nipa e mbesa, miq e dashamirë prej dekadash hyjnë e dalin në këtë oborr, ambjenti i të cilit mbeti i lulëzuar për vite më radhë, nga zonjat e kësaj shtëpie që është tregues i mikpritjes, një traditë shkodrane e trashëguar plot vlerë.
Bledar Barbullushi, trashëgimtar i kësaj familje kultivon lulet shumëngjyrëshe e plot aromë që i kanë dhënë këtij oborri, frymëzimin, ndërsa është i vetmi trashëgimtar që vijon të jetoj në këtë shtëpi.
Zyhdi Barbullushi, i përket plejadës së njerëzve të shquar që lanë gjurmë të pashlyera në traditën e qytetit të Shkodrës. Ai ishte njeriu i pasioneve të mëdha , politalent , personalitet i artit dhe i sportit në Shkodër, sportist i Klubit “Vllaznia” dhe i Kombëtares Shqiptare të Futbollit, “Mjeshtër I Sportit” bilardist, fizarmonist dhe autor i librit “Një jetë mes artit dhe sportit” kompozitor që rriti dhe edukoj një talent që vijon rrugën e tij në mënyrë të shkëlqyer, Jetmir Barbullushi. Prof, Zyhdiu, gjatë gjithë jetës së tij krijoi melodi të kandshme teksa luante fizarmonikë në këtë ambjent shplodhës.
Jetmir Barbullushi, dirigjent. Mësimet e para të muzikës i merr nga i jati Zyhdi Barbullushi. Kompozitor i këngëve të muzikës së lehtë, popullore, dhe asaj për femijë. Që në vitin 1991, drejton orkestrën profesioniste të RTSH, ku nën drejtimin e tij mbajnë vulën shumë koncerte te niveleve te larta artistike brenda dhe jashtë vendit. Ai ka qënë udhëheqës artistik i Festivalit Kombëtar të këngës në RTSH, për 30 vite.
(Marre nga faqja e DRTK Shkoder)