Monument Kulture, Kategoria I-rë; shpallur me vendim të Rektoratit të Universitetit Shtetëror (1963) me vendodhje në Zdrale, Shkodër.
Banesa, afro 210 vjecare, ruan mjaft mirë skemën planimetriko-funksionale të banesës karakteristike të periudhës së shek XVIII-XIX. Në vitin 1940, Hasan Zeneli, pronar, restauroi banesën në pjesën e brendshme dhe të jashtme të saj , duke ndjekur një projekt Italian restaurimi, i cili parashikonte asokohe, zëvendësimin dhe trajtimin e elementëve të drurit të tavanit( gdhendje, dekorim nga mjeshtrat më të mirë të kohës) dhe të catisë si dhe vendosjen e kangjellave dekorative prej hekuri. Banesa trashëgon të pacënuar një mjedis karakteristik të odës së miqve, ku spikasin gdhendjet e drurit, ne kapakët e rafteve, musandrat, kanatet si dhe pikturimi mural.
Familja Zeneli, ishte një familje e madhe me shumë fëmijë. Hasan Zeneli, djali i Nurije dhe Zenel (Zeneli), u lind në Shkodër në vitin 1892 dhe kishte 6 fëmijë nga të cilët Zyhdi Zekja (Zeneli) ,djali i madh, njihet si një ndër themeluesit e Fakultetit të Bio-Kimisë pranë Universitetit të Tiranës në vitin 1957.
Në vitet 1934-1944, Hasani, ushtronte aktivitet tregtar tejet të suksesshëm, në fushën e lëndëve të ndërtimit, import – eksport në Ballkan dhe Europë, me dy filiale në Shkodër dhe në Shkozet të Durrësit. Sipas familjarëve ai zotëronte një mençuri e fisnikëri të habitshme, ndërsa devotshmëria e Tij fitoi respektin e tregtarëve të tjerë me të cilët hyri në lidhje, korrespondencat me të cilët familja I ka të ruajtura edhe sot.
Ndërsa djali tjetër i Hasanit, Rasim Zekja (Zeneli), trashëgimtar i banesës, u përfshi në biznesin familjar, të tregëtimit, duke ndjekur gjurmët e të atit. Me porosi të vecantë ai ngarkohet nga mbreti Zog, për furnizimin me materiale ndërtimi të dy Urave (të Bunës, dhe Bahçallekut). Marrdhënia mes Hasanit dhe Rasimit, ishte tejet dinamike. Rasimi që në vogli, ndiqte të atin në të gjithë takimet e tij të punës, mes Tiranës, Durrësit, Jugosllavisë dhe Italisë, në panairet e hershme “Fiera del Levante”, duke vijuar suksesshëm biznesin familjar.
Aktualisht Banesa Zeneli, ka trashëgimtar Adnanin, i biri i Rasimit cili ka merita të vecanta në ruajtjen e një pjese të rëndësishme të trashëgimisë kulturore të familjes.
(Marrë nga DRTK Shkodër)