FOTO/ Banesa shkodrane e familjes “Nush Çoba”, vlerë historike mbi 200 vjeçare…

Monument Kulture, Kategoria I-rë; shpallur me vendim të Ministrisë së Arsimit dhe Kulturës (1977) me vendodhje në qendrën historike të Shkodrës, Gjuhadol, vlerë historike mbi 200 vjeçare.

Banesa, përfaqësuese e tipologjisë së fund shek XVIII-XIX, ruan një ambjent karakteristik ku vlerësohet zbukurimorja e mjedisit të brendshëm. Oda më karakteristike e shtëpisë, është ajo e ndenjës “oda e mirë” , e cila u përvetësua vite më vonë si dhomë gjumi, për arsye të përshtatjes së nevojave të familjarëve. Një pjesë e rëndësishme të odës së miqve e zë trapazani i gdhendur në dru, i stilit oriental, i njohur si vendi ku rrinin gratë, ndërsa spikat tavani karakteristik, një stil arkitekturor oriental gërshetuar me atë venecian, me vlera të veçanta arkitekturore.

Një karakteristikë e banesës është përkujdesja e mjeshtrit për një trajtim estetik të çdo elementi funksional duke patur parasysh kërkesën aso kohe të pronarit, Gjokës, e cila tregon qartë jo vetëm mirëqënien, por dhe për një nivel relativisht të ngritur të formimit estetik, me element virtuoz sic është tavani. Kjo banesë ka vlerë për faktin se shënon përpjekjen e fundit, për t’ju përshtatur kushteve të reja të jetesës, që përherë e më tepër po merrnin tipare qytetare.

Sipas familjarëve, banesa u ndërtua rreth fundit të viteve 1800 dhe pronari i parë i kësaj shtëpie ishte Gjokë Çoba, prodhues e tregëtues i mirënjohur i verës në Shkodër, i cili kishte tre trashëgimtar.

Në këtë rrjedhë të pastër familjare dhe fisnike tregëtari Gjok rriti dhe edukoi fëmijët e tij (tre djem). Fëmijët trashëguan nga babai pasurinë më të madhe: kulturën, zgjuarsinë dhe intuitën për tregëtinë që ai kishte në gjak nga të parët dhe ua la si kapital fëmijëve. Nushi, një nga djemtë e Gjokës eci në gjurmët e të atit, duke qënë një nga tregtarët më të sukseshëm në Shkodrën e viteve 1945, me dugajën e tij, pijetore në rrugicën që njihet ndryshe në Shkodër si “Rrugica e Gurazezve”.

Nga martesa e Nushit me Liza Gjinin, bijë nga një familje e urtë intelektuale erdhën në jetë Fabjani, Maria dhe Alberti.

(Marrë nga faqja DRTK Shkodër)