Monument Kulture,Kategoria l-rë,shpallur në vitin (1977) nga Ministria e Arsimit dhe Kulturës; një pasuri e vërtetë muzeore në interierin e saj, teksa spikat arti i pikturave murale i “Odës së Madhe”, pikturuar nga Gasper Pitori. Krahas kësaj mjeshtëria e punimit me dru i kanë dhënë banesës një ansambël arkitektonik vlerash ku mbizotëron druri jo vetëm si element kryesorë dekorimi por dhe si element strukturorë.
Sipas familjarëve, Banesa “Muka” daton para viteve 1874 (vit në të cilin Mysli Muka me familje rezulton si banor i kësaj shtëpie, ndërtuar nga ai vetë). Kjo banesë shkodrane, bën pjesë në banesat karakteristike me çardak, e vendosur në qendër të truallit me mure rrethuese të larta (avlli) me pamje nga jugu (dielli).
Mysli Muka, ishte firmerà i telegramit dërguar Kongresit të Berlinit me datë 16 Qershor 1878, për mbrojtjen e trojeve shqiptare që Fuqitë e Mëdha donin t’ia kalonin Malit të Zi.
Banesa e Mukajve, më tej u ndërtua nga i biri Eliasi, i cili lindi në vitin 1864 në Shkodër. Ndërtimi i shtëpisë thuhet që është arkitekturë karakteristike shkodrane e viteve (1870 – 1880).
Ne vitet (1923-1924) Elias Muka, ishte deputet i qytetit të Shkodrës, dhe pjesë e Komisionit Kombëtar të Buxhetit.
Në Janar të vitit 1936, Eliasi bëhet pjesë e grupit të haxhilerëve shkodranë, që udhëtojnë në Qabe, vendin e shenjtë.
Përveçse patriot, dhe pjesë elitare e parisë së qytetit të Shkodrës, (Haxhi) Elias Muka, ishte tregtar dhe pronar i dy dugajve, njëra me vendodhje në Pazarin e Shkodrës dhe tjetra një dyqan me magaze në Shehër (Ish Mapoja e Madhe) kjo e fundit në bashkëpronësi me Ulqinakun e Madh ( 1787).
Familja Muka, me kalimin e viteve zgjeroi aktivitetin e saj tregtar që nga Hera me Turqinë, Italinë, Greqinë Austro- Hungarinë, Gjermaninë dhe Amerikën deri në vitin 1945.
Aktiviteti tregtar i Eliasit (Eles Mucca) është i dokumentuar me fatura të hershme doganore dhe korrespondenca biznesi.
(Marrë nga faqja e DRTK Shkodër )