FOTO/ Banesa shkodrane e familjes “Ramiz Bekteshi”, Monument Kulture, Kategoria I- rë shpallur, në vitin (1977)…

Banesa shkodrane e familjes “Ramiz Bekteshi”;

Monument Kulture, Kategoria I- rë shpallur, në vitin (1977) nga Ministria e Arsimit dhe Kulturës, me vlera arkitekturore dhe dekorativo-artistike.

Banesë shkodrane 150 vjeçare me kompozim horizontal, e vendosur në një truall të gjërë, e shkëputur nga rruga nga e cila ndahet me mure të lartë. Ndërtim dy katësh prej guri, e tipit me çardak ku përfshin odën e miqve dhe hajatin.

Mjedisi i odës së miqve është përfaqësues i tipologjisë së fund shek- XVIII dhe fillim shek-XIX ku vlerësohet zbukurimorja e oranmentikës së brendësisë të mjedisit, mjeshtëria e daltimeve në dru në shumë elementë si tavani, dera e gdhendur, sergjeni, volumi trapazan-musander, dritaret, dollapet e murit dhe oxhaku dekorativ, punuar në allçi i plazmuar në vend.

Banesa (trualli) i është blerë Familjes Ura në fillim shekullin e XX – të, dhe mban emrin e tregtarit Ramiz Bekteshi, i cili kishte në pronesinë e tij toka në të gjithë zonën e Nën Shkodrës si dhe një ” Dugaj” në Pazarin e Shkodrës. Ramizi merrej me eksport – importin e mallrave me shumicë nga Kosova, Mali i Zi, Serbia, Manastiri, Bullgaria dhe anasjelltas, pra në gjithë Rumelinë e asaj kohe, deri në vitet 1944. Ai, ishte një njeri i ditur dhe tregtar i respektuar në Pazar. Ramzi shquhej për vlera kombëtare mjaft të zhvilluara. Flet dhe shkruan shumë mirë turqishten, frëngjishten e përsishten. Banesa e Ramizit, thënë nga trashëgimtarët e sotëm, ka shërbyer shpesh edhe si zyrë, gjë që presupozonte vizita të shpeshta për çështje të ndryshme tregëtare.

Ai vdiq në moshën 65 vjeçare nga një sëmundje e pashërueshme.

Ramizi ka dy trashëgimtar, Bashkimin dhe Besnik Bekteshin. Sot banesa po përjetësohet nga i biri, Bashkimi, me profesion mekanik, i cili krahas banesës ka trashëguar edhe pajën 95 vjeçare të mamasë së tij, Xhevahires (sendukët, pasqyrën, qilimat, baulet, jastekët ‘guf’ qendisur e pikturuar në mëndafsh).

(Marrë nga faqja e DRTK Shkodër)