Forcat izraelite në Gaza vranë 133 foshnja pa mbushur një vjet…

Shpërndaje

Ministria e Shëndetësisë në Gaza njoftoi se 133 foshnja nën një vjeç u vranë në Rripin e Gazës, të cilin Izraeli e bombardon prej javësh, transmeton Anadolu.

Ministria publikoi një raport prej 212 faqesh që përmban emrat, informacionet e identitetit dhe moshat e të vrarëve në sulmet e Izraelit në Gaza midis 7-26 tetorit.

Sipas raportit, 2.913 nga 7.028 personat që vdiqën në sulmet izraelite midis 7-26 tetorit ishin fëmijë.

Në sulmet izraelite humbën jetën 444 foshnja, përfshirë 133 foshnja pa mbushur një vjet, 153 foshnja 1 vjeçare dhe 158 foshnja 2 vjeçare.

Në bombardimet izraelite humbën jetën 171 fëmijë të moshës 3 vjeçare, 1.527 fëmijë të moshës së shkollës fillore (4-13 vjeç) dhe 523 fëmijë të moshës së shkollës së mesme (14-17 vjeç).

Raportohet se 2.262 nga viktimat në sulmet ishin gra, dhe se u vranë 462 persona mbi moshën 60 vjeç.

Në raport theksohet se identitetet e 281 personave që u vranë në sulme nuk mund të përcaktoheshin.

U vranë 63 punonjës të OKB-së dhe 36 gazetarë

Agjencia e Kombeve të Bashkuara (OKB) për Ndihmën dhe Punën për Refugjatët Palestinez në Lindjen e Afërt (UNRWA) njoftoi të hënën, më 30 tetor se 63 punonjës të saj u vranë në sulmet izraelite.

Që nga fillimi i sulmeve izraelite më 7 tetor, 35 gazetarë kanë humbur jetën në Gaza dhe 1 në Liban.

Krahu i armatosur i Hamasit, Brigada Izz ad-Din al-Qassam, filloi një sulm gjithëpërfshirës mëngjesin e 7 tetorit në përgjigje të shkeljeve të vazhdueshme të Izraelit “kundër palestinezëve dhe vlerave të tyre të shenjta, veçanërisht ndaj xhamisë Al-Aksa”. Pas kësaj ushtria izraelite filloi bombardimet intensive ajrore në Rripin e Gazës.

Shpërndaje