Një grup i Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë, në mbështetje të policisë së Shkodrës, kanë ushtruar kontroll në banesën e Artan Gjinaj në orët e para të mëngjesit të sotëm, duke terrorizuar bashkëshorten e tij dhe dy fëmijët e mitur. Ngjarja ka ndodhur në fshatin Dajç të Lezhës, ndërsa kryefamiljari thotë se nuk ndodhej në banesë, pasi punon në Malin e Zi.
Familja Gjinaj deklaron se policia është futur me dhunë në banesën e tyre duke i terrorizuar, ndërsa nuk kanë ende një përgjigje se cila ishte arsyeja e kontrollit, teksa shtojnë se nuk kanë probleme me ligjin.
Gazetari Elidon Ndreka ka bërë me dije për “BalkanWeb” se nga policia e Lezhës i është konfirmuar se para ndërhyrjes, salla operative është njoftuar nga Policia e Shkodrës për këtë aksion.
“BalkanWeb”, në një komunikim që ka pasur me Policinë e Shkodrës, ka mësuar se ky aksion i policisë i mbështetur nga një grup i FNSH, është bërë për shkak se dyshohej se në këtë banesë fshihej një person i shpallur në kërkim, i cili është i afërmi i familjes Gjinaj.
Ndërkohë nuk konfirmohet nëse për këtë aksion ka pasur një urdhër nga Prokuroria apo jo.
Bashkëshortja e Artan Gjinaj, Kristina, e cila ka qenë e vetme në banesë me dy fëmijët, ka rrëfyer se si ka ndodhur ngjarja.
“Ishte një zhurmë, kur ‘Policia e Shtetit, Policia e Shtetit’? kur më thonë fëmijët ‘o mam, te dritarja’. U ula, tentuan të hapin derën, e hapa derën, më mbështetën për derë. Polici u ngjit lart, dy hynë poshtë. As dhanë shpjegim, as asgjë. Ishin të armatosur dhe me maska, ishin pak e shumë 5-6, 3 ishin brenda. Nuk thanë asgjë, vetëm ‘Policia e Shtetit’. Djalin e shtrinë për tokë, u frikësuam. Pa i bërë asgjë askujt, normal që është e rëndë, s’kemi probleme me ligjin, vetëm duke jetuar me mundin tonë”, shprehet Kristina./balkanweb/