Aviacioni Civil në Shqipëri ka pasur kosto të larta për shkak të kapacitetit të ulët dhe kompanive të pakta në treg. Ofrimi i destinacioneve specifike nga një kompani e vetme i bënte biletat më të shtrenjta. Për shembull, çmimi i biletës për linjën Tiranë-Vjenë kapte vlera deri në 220 euro, sepse ishte vetëm një linjë ajrore që e ofronte.
Por hyrja në tregun shqiptar të kompanive me kosto të ulëta ka nxitur uljen çmimit të biletave për udhëtarët në destinacione të ndryshme. Kompanitë low-cost ofrojnë çmime mesatarisht deri në 120 euro. Vetë linja e sipërpërmendur e ka ulur çmimin me 27% për shkak të konkurrencës.
Fluturimet për në Itali po kushtojnë më lirë, krahas shtimit të destinacioneve të ofruara dhe linjave ajrore që i ofrojnë ato. Megjithatë, Vjena ngelet objektiv strategjik për fluturimet tranzitore për vende të tjera evropiane dhe në SHBA.
Kompania ‘Air Albania’, e cila është 51% nën pronësinë e shtetit shqiptar, ende nuk ka aplikuar për të marrë licencë për fluturime drejt Vjenës. Leja mund të merret brenda 3 muajsh. Linja e saj në Vjenë do t’i kishte ulur edhe me tej kostot e fluturimeve të shqiptareve nga Tirana drejt kryeqytetit austriak, përfshirë destinacione të tjera ndërkombëtare.