Festa e Vitit të Ri ka sjellë një dyndje pasagjerësh në pikat e kalimit kufitarë, tokësorë, ajrorë dhe detarë.
Vetëm në aeroportin Nënë Tereza në 24 orë e fundit priten 15 mijë, një shifër e konsiderueshme për një ditë. Ministrja e infrastrukturës, Belinda Balluku, njoftoi se me masat e marra për shtimin e sporteleve në aeroport nuk ka vonesë në ofrimin e shërbimit.
Tashmë nga vera ne kemi terminalin e ri, por jo vetëm kemi dhe pikat e reja të kontrollit të pasaportave të cilat kanë shmangur radhët.
Sa i përket portit më të madh në vend në Durrës kanë zbritur nga dy tragetet e linjës afro 1800 pasagjerë. Vetëm gjatë javës së fundit kanë mbërritur në vend, sipas autoritetit portual, më se 20 mijë udhëtarë.
Për të përballuar lëvizjet, autoritetet kufitare po punojnë me kapacitet të plotë, duke vënë në punë nga 12 sportele në ditët normale e deri 24 sportele në ditët me fluksin më të lartë të pasagjerëve.
lëvizje të shumta ka pasur edhe në pikën kufitare të Kakavijës, ku gjatë 24 orëve të fundit kanë hyrë afro 5700 qytetarë. Të dyja palët, si ajo shqiptare dhe ajo greke, po punojnë me nga 5 sportele për të shmangur qëndrimin e mjeteve në radhë.