Flet “Kobra”: Vëllai im nuk ishte në vendngjarje, erdhi pasi thanë se më kanë vrarë…

Shpërndaje

Në seancën paraprake në Gjykatën Themelore në Prizren, Dibran Hoxha, i njohur me nofkën “Kobra”, i cili dyshohet për vrasjen e së martës në Prizren, tha se vëllai i tij, Enver Amrallahu, nuk kishte qenë në vendin e ngjarjes në momentin kritik, por erdhi më pas, ngase dikush i kishte thënë se e kanë vrarë atë (Hoxhën).

Ai tha se pajtohet me fjalët e mbrojtësit të tij, avokatit Nexhat Elshani, ndërsa theksoi se i pandehuri Enver Amrallahu në momentin kritik nuk ka qenë në vendin e ngjarjes, ashtu siç thuhet në kërkesën e Prokurorisë, por i njëjti ka ardhë pasi është informuar nga dikush lidhur me ngjarjen. “Pajtohem me fjalët e avokatit, veç deshta me shtu diçka në lidhje me Enver Amrallahun, ky është vëllau prej nanës. Ky ka ardhë masi ka ndodhë, masi ka ni prej tjerëve që ka ndodh diçka në lokal, ka ardhë masi me policinë mrapa krejt kur janë marrë deklaratat krejt, kanë ardhë e kanë nxanë aty si vlla”, tha  i dyshuari Hoxha.

Hoxha tha se Armallahu ka ardhë pasi kishte marrë informacione se ai (“Kobra”) është vrarë.

Seanca është duke vazhduar me deklarimet e palëve të tjera. Ndryshe, sipas Prokurorisë, Dibran Hoxha po dyshohet për veprat penale “Vrasje e rëndë”, armëmbajtje pa leje dhe manipulimi me prova, ndërsa Arben Vezaj, Burim Mazreku, Jesmir Badalli, Kujtim Gashi dhe Enver Amrallahi, po dyshohen për veprën penale “Pjesëmarrja në rrahje”.

“Më dt 03.01.2023, rreth orës 04:00, në afërsi të lokalit të tij “Kobra City”, që gjendet në rrugën magjistrale Prizren- Zhur, me armë zjarri, me dashje e privon nga jeta viktimën V.C, duke vë në rrezik jetën e të dëmtuarit R.Sh, të cilin e plagos dhe duke vë në rrezik edhe jetën e të dëmtuarit A.B, që të tre shtetas të Republikës së Shqipërisë, në atë mënyrë që për shkak të një mosmarrëveshje paraprake që kishin pas rreth pagimit të faturës në lokal, fillon përleshja në mes punëtorëve në lokalin “Kobra City”, me të dëmtuarit ku pas kacafytjeve dhe rrëmujës së krijuar në lokal, të dëmtuarit dalin nga lokali dhe pasi hypin në veturën “Mercedes” FA 19-PFX, me targa angleze, për tu larguar në parkingun e lokalit, paraqitet i dyshuari Dibran Hoxha, i cili me armë zjarri shtënë në drejtim të veturës, me ç’rast e qëllon të dëmtuarin V.C, i cili kishte qenë i ulur në ulësen e pasme të veturës dhe R.Sh, i cili kishte qenë i ulur në ulësen e përparme, dhe si pasojë e këtyre të shtënave me armë zjarri V.C ndërron jetë rrugës për në spitalin e Kukësit, derisa R.Sh nga plagët e marra nga Kukësi dërgohet në spitalin e Tiranës”, thuhet në kërkesën e Prokurorisë.

Me këtë, Hoxha dyshohet se ka kryer veprën penale “Vrasje e rëndë” nga neni 173, par.1, nënpar, 1.5 të Kodit Penal. /Betimi përDrejtësi/

Shpërndaje