Fitore e çmendur e Vllaznisë në “Loro Boriçi”, Mehdi Çoba shënon në minutën 94…

Shpërndaje

Vllaznia ia ka dalë të fitojë me Kukësin në shtëpi  me rezultatin 2-1 dhe ngjitet në vendin e tretë në klasifikim, me pikë të barabarta me Partizanin.

Shkodranët u munduan të sulmojnë në minutat e para, por ishin të pasaktë me goditjet e tyre, që në disa raste u penguan nga mbrojtja e Kukësit.

Në minutën e 30-të Hakaj mund të realizonte autogol, por topi i devijuar prej tij shkoi në shtyllë. Shqipërim Taipi më pas për Kukësin goditi pak mbi tra.

Në minutën e 43-të u zhbllokua ndeshja, pasi Victor Da Silva me kokë e çoi topin në rrjetë pas një harkimi të Gurishtës. Festë në kampin shkodran.

Kukësi u përpoq më shumë në pjesën e dytë dhe mund të barazonte me Milunovic, i cili u ndal mrekullisht nga portieri Zogovic.

Ky i fundit më pas gaboi në minutën e 80-të pas një goditjeje dënimi. Ai nuk e kontrolloi dot topin dhe Lulaj në zonë përfitoi dhe shënoi golin e barazimit.

Trajneri Plori e kërkoi zgjidhjen nga stoli dhe e gjeti, pasi sulmuesi Mehdi Çoba realizoi golin e fitores për Vllazninë në minutën e pestë shtesë.

Vllaznia-Kukësi 2-1 Da Silva 43’, Çoba 90+5 / Lulaj 80’.

Shpërndaje