Në prani të kryeministrit Edi Rama, ministrit të Mbrojtjes Niko Peleshi, përfaqësuesve të firmës turke “Baykar Technologgies”, ambasadorit të Republikës së Turqisë në vendin tonë Tayyar Kağan Atay u nënshkrua sot në Tiranë marrëveshja për sigurimin e avionëve luftarakë pa pilotë “Bayraktar”.
Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi, gjatë fjalës së tij shprehu mirënjohje për ndihmën që qeveria turke ka dhënë vitet e fundit në mbështetje të Forcave të Armatosura: “Jam i sigurt se shfrytëzimi i këtyre aseteve në vendin tonë do të rrisë cilësisht kapacitetet e Forcave të Armatosura dhe strukturave të Emergjencave Civile në drejtim të kontrollit të territorit dhe për të parandaluar fenomenet e paligjshme. Kompletimi me këtë sistem ka rëndësi të veçantë për sigurinë tonë kombëtare dhe atë të Aleancës, si dhe për respektimin e detyrimeve që rrjedhin nga Strategjia e Sigurisë Kombëtare, Strategjia Ushtarake dhe objektivat e Kapaciteteve të NATO-s”, – u shpreh ministri i Mbrojtjes.
“Krijimi i kapaciteteve kombëtare shumëpërdorimshe dhe modulare për zbulim, vëzhgim dhe rikonicion më të mirë, në mbështetje ajrore te operacioneve të FARSH dhe gjatë operacioneve të emergjencave civile dhe operacioneve në ndihmë të komunitetit, do të jenë disa prej objektivave që do të arrihen me sigurimin e këtyre aseteve. Modernizimi i Forcave të Armatosura do të jetë në vëmendje të vazhdueshme të qeverisë shqiptare. Gjatë viteve të fundit kemi bërë të mundur investime konkrete për trajtimin dhe trajnimin e personelit ushtarak, si dhe në blerje të pajisjeve, aseteve të rëndësishme në funksion të Forcave të Armatosura”, – theksoi z. Peleshi.
Ministri i Mbrojtjes tha se: “kompletimi më këto sisteme ka rëndësi të veçantë për sigurinë tonë kombëtare dhe atë të Aleancës, si dhe vjen në respektim të detyrimeve që rrjedhin nga Strategjia e Sigurisë Kombëtare, Strategjia Ushtarake dhe objektivat e Kapaciteteve të NATO-s”.
Firma “Baykar Technologies” është e specializuar në hartimin e teknologjive transformuese në fushën e Mbrojtjes dhe Aviacionit. Pajisja me këta avionë do t’u ofrojë institucioneve të tjera të qeverisë shqiptare një mbështetje të madhe në nivel operacional, në fusha të ndryshme.