Finalia e Kupës/ Bashkia Shkodër kërkesë Ministrisë së Shëndetësisë për lejimin e tifozëve…

Shpërndaje

Komiteti Teknik Shkencor ka vendosur që stadiumet të hapen nga 1 korriku, por kjo nuk i shkon për shtat Vllaznisë dhe Skënderbeut, që të hënën e 31 majit luajnë finalen e Kupës së Shqipërisë. Pas Federatës Shqiptare të Futbollit dhe ultrasve të klubit korçar, është radha e Voltana Ademit që u kërkon autoriteteve shtetërore që ndeshja të lejohet të luhet me tifozë.

“Ditën e hënë, datë 31 maj 2021, në stadiumin “Air Albania” ekipi ynë i zemrës Vllaznia, ndeshet përballë Skënderbeut të Korçës në finalen e Kupës së Shqipërisë në futboll.

Kjo ndeshje vjen pas një sezoni të jashtëzakonshëm, ku pasi jemi shpallur nënkampion të Shqipërisë, rikthehemi pas më shumë se një dekade në finalen e Kupës së Shqipërisë ndaj një emri të madh të futbollit shqiptar siç është Skënderbeu. Përballë një ecurie kaq pozitive, sigurisht, mungesa e tifozëve mbetet një nga keqardhjet më të mëdha!

Duke parë se tashmë situata e pandemisë globale COVID-19 është çdo ditë e më tepër duke u përmirësuar, duke parë që në të gjitha vendet europiane tashmë finalet e kupave po zhvillohen me pjesëmarrjen e 30% të tifozëve, Bashkia Shkodër i bën kërkesë autoriteteve publike e në mënyrë të veçantë Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale:

Ditën e finales, me datë 31 maj 2021, duke respektuar rigorozisht të gjitha protokollet dhe masat anti- Covid, të lejojë prezencën e pjesëmarrjen e tifozëve në 30% të kapacitetit të stadiumit Air Albania”, shkruan kryebashkiakja e Shkodrës, njëkohësisht edhe presidente e Vllaznisë.

Shpërndaje