Faturat aforfe të ujit, rreth 200 mijë klientë nuk kanë matësa

Shpërndaje

Faturimi aforfe i ujit vijon ende të jetë prezent në sektor dhe janë jo pak por rreth 200 mijë klientë që çdo muaj paguajnë sipas një llogarie standarde dhe jo aq sa konsumojnë realisht. Të dhënat zyrtare të Entit Rregullator të Ujit tregojnë se në vitin e shkuar janë instaluar rreth 50 mijë matës të rinj por ende ka punë për t’u bërë. Nëse do të vijohet me trendin e ndjekur deri më tani faturimi aforfe do të marrë fund në vitin 2022.

“Niveli i Matjes” është përmirësuar me 3.5%, krahasuar me vitin 2018. Gjatë vitit janë instaluar rreth 50 mijë matësa uji. Në sektor ende raportohen 199,543 klientë pa matësa nga të cilët 8,201 janë të kategorisë jo familjarë. Konsumatorët duhet që të faturohen për volumin e ujit që ato konsumojnë dhe jo aforfe. Konstatohet se pothuajse të gjitha shoqëritë e kanë përmirësuar këtë tregues, ndërkohë që vetëm UK Devoll ka mundur të ketë 100% shërbimin e matur. Nëse do të vazhdohet me ritmet e dy viteve të fundit në mbyllje të vitit 2022 asnjë klient nuk do të faturohet aforfe, por sipas konsumit të matur” vlerëson ERRU në raportin vjetor të sektorit.

Sa i takon aspektit financiar që ka pasur instalimi i matësve të rinj të ujit Enti vlerëson se një pjesë e të ardhurave të ujësjellësve kanë rënë pikërisht për këtë arsye pasi faturimi aforfe të paktën për familjarët ka pasur një kosto më të lartë për ta ndërsa vendosja e matësit ka bërë që fatura e tyre të jetë më e ulët. Kjo rrjedhimisht është reflektuar edhe tek të ardhurat e ujësjellësve.

“Rritja e volumit të ujit të faturuar duhet të ishte më e konsiderueshme, por në rritjen minimalë të saj ka influencuar instalimi i 50 mijë matësave të cilat ulin konsumin mesatar, mesatarisht për familje me 4 persona nga 18 m3/muaj që presupozon faturimi aforfe, në rreth 12m3 në muaj për familje në faturimin me matje. Shoqëritë me performancë të dobët të këtij treguesi (mbi nivelin 70% UPA) paraqiten UK Berat Kuçovë, Cërrik, Durrës Fier dhe Vlorë” thuhet në raport.

Shpërndaje