Nënshkrues të Aktit të Pavarësisë së shtetit shqiptar ishin 40 persona, ata që u gjendën në Vlorë më 28 nëntor 1912. Qëndrimi i regjimit komunist për pjesën më të madhe të familjeve ishte negativ. Në mungesë të shumicës, hakmarrja ra mbi trashëgimtarët e tyre. Për “fatin” e mirë të tyre, shumica e firmëtarëve vdiq para vitit 1945. Lista kronologjike është si vijon:
1-Veli Harçi (1850-1914)
2-Dom Nikollë Kaçorri (1862-1917)
3-Bab Dud Karbunara (1842-1917)
4-Murad Toptani (1867-1918)
5-Ismail Qemal Vlora (1844-1919)
6-Xhelal Koprencka (1876-1919)
7-Pandeli Cale (1879-1923)
8-Luigj Gurakuqi (1879-1925)
9-Elmas Boce (1850-1925)
10-Sali Gjuka (1876-1925)
11-Abas Dilaver (Çelkupa) (1850 – 1926)
12-Iljaz Vrioni (1882-1932)
13-Dhimitër Tutulani (1875-1937)
14-Vehbi Dibra Agolli (1867-1937)
15-Myrteza Ali Struga (Dibra) (1876-1937)
16-Zyhdi Ohri (1872-1938)
17-Hajredin Cakrani (1860-1940)
18-Nuri Sojliu (1870-1940)
19-Abdi Toptani (1864-1942)
20-Xhemal Deliallisi (1880-1941)
21-Nebi Sefa (1861-1942)
22-Ymer Deliallisi (1873-1944)
23-Dhimitër Mborja Emanoil (1884-1945)
24-Dimitër Zografi (1878-1945)
25-Thanas Floqi (1884-1945)
Vdiqën pas vitit 1945:
1-Jani Minga (1872-1947)
2-Mit’hat Frashëri (1880-1949), jashtë Shqipërisë
3-Qemal Karaosmani (1875-1949)
4-Aristidh Ruçi (1875-1950)
5-Spiridon Ilo (1876-1950)
6-Mustafa Merlika Kruja (1887-1958) jashtë Shqipërisë
7-Rexhep Mitrovica (1888-1960) jashtë Shqipërisë
8-Dhimitër Berati (1888-1970) jashtë Shqipërisë
9-Qemal Mullaj (1881-1966)
***
U dënuan me vdekje:
1-Bedri Pejani (1885-1946)
Nënshkroi në dokument “Bedri Pejan”. U arrestua në Shkodër dhe u dërgua 1.7.1945 në Pejë. Atje u dënua me vdekje. Vdiq para se të ekzekutohej.
2-Lef Nosi (1873-1946)
Nënshkroi në dokument “Lef Nosi”. U arrestua më 8.8.1945 nga forcat komuniste në Tiranë.
U përfshi në një proces së bashku me At Anton Harapin dhe Maliq Bushatin. Gjyqi ndaj tyre u zhvillua në Tiranë më 1 – 12 shkurt 1946. Gjykata Ushtarake Tiranë, me vendimin nr.24, datë 12.2.1946, e deklaroi fajtor dhe e dënoi me vdekje për aktivitetin si regjent në vitet 1943-1944.
U la në fuqi me vendimin nr.9, datë 14.2.1946 të Gjykatës së Lartë Ushtarake. U pushkatua në Tiranë më 20.2.1946.
***
U dënuan me burgim:
1-Qazim Kokoshi (1882-1947)
Nënshkroi në dokument “Qazim Kokoshi”. U arrestua më 19.3.1946. Ndaj tij u zhvillua një proces i parregullt gjyqësor, të cilit i mungon dispozitivi. Gjykata Ushtarake Vlorë, me vendimin nr.64, datë 23.7.1946, e deklaroi fajtor dhe e dënoi me burgim. Nuk reziston gjatë dhe vdes në burgun e Vlorës në vitin 1947.
2-Shefqet Daiu (1882-1946)
Nënshkroi “Shefqet Daji”. U arrestuar me 16.2.1945 ai akuzohej për lidhje të ngushta me Ballin Kombëtar. Këshilli Gjyqësor, pranë Komandës së Qarkut Elbasan, me vendimin nr.63, datë 27.6.1945, e deklaroi fajtor dhe e dënoi me 30 vjet burgim. Përpara gjykatës me kërkesën e avokatit mbrojtës, i pandehuri deklaroi: “Në vitin 1912 kam qenë delegat i Elbasanit në kuvendin e Vlorës, madje kam nënshkruar aktin e pavarësisë. Në kohën e pushtimit turk unë, duke lënë karrierën në fushën e drejtësisë, jam bërë mësues i thjeshtë për t’i mësuar shqiptarëve gjuhën shqipe, duke shërbyer në Dibër”. Vdes në burg në vitin 1946.
3-Zihni Abas Kanina Hamzaraj (1885-1957)
Nënshkroi në dokument “Zihni Abbas Kanina”. U zgjodh drejtor i përgjithshëm në ministrinë e Punëve të Jashtme. Me fillimin e Luftës së Dytë Botërore, Kanina u bë pjesë e Ballit Kombëtar, përkrah Mit’hat Frashërit. Në vitin 1951 u arrestua dhe u burgos. Nuk ka të dhëna rreth dënimit të tij.
4-Ferit Vokopola (1887-1967)
Nënshkroi në dokument me emrin e plotë të tij. U arrestua më 20.2.1945. Gjykata Ushtarake Tiranë, me vendimin nr.166, datë 11.8.1945, e deklaroi fajtor dhe e dënoi me 2 vjet burgim. Lirohet më 19 shtator 1947.(Kujto.al)