Shumica e përfituesve të familjeve në Bashkinë e Kurbinit ishin të pranishëm në ditën që u dorëzuan çelësat e parë të apartamenteve të tyre. Kurbinasit shprehen se i janë shumë mirënjohës qeverisë turke që bëri realitet shtëpinë e tyre të re në bllokun e banimit me 522 apartamente në lagjen nr 4.
“Unë jam një ndër familjet përfituese të apartamenteve të reja të financuara nga qeveria turke. Jemi 5 anëtarë në familje, kam përfituar hyrje 3 plus 1. Super apartamente, besoj se në Shqipëri nuk ka më të bukur”, u shpreh banori.
Ka dhe nga ata banorë që kanë kërkuar ndërtimin e shtëpisë së re në truallin ekzistues.
“Faleminderit shumë nga shteti turk për ndryshimet që bëri në qytetit e Kurbinit. Është një mirësi dhe një bujari shumë e madhe e shtetit turk për Shqipërinë. Nuk jam përfitues në këto banesa për arsye se unë isha përfitues, por kam kërkuar që ta bëj në pronën time”, tha banori.
Përpos bllokut të banimit nga qeveria turke, në Bashkinë e Kurbinit do të ketë dhe familje që do përfitojnë edhe shtëpi individuale.
Ndërkohë kryeministri Rama me anë të një postimi ka theksuar se po bëhet gati blloku i dytë i banesave në Kavajë për 206 familje të tjera, me financim 100% nga qeveria shqiptare.