Euro në tregun vendas arrin nivelin më të ulët që përpara pandemisë…

Euro ka shënuar një tjetër rënie gjatë ditës së sotme në tregun vendas, ndonëse me ritme më të ngadalësuara në raport me ditën e mëparshme.

Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, një euro u këmbye me 122.91 lekë, me rënie prej 0.01 lekë në raport me ditën e mëparshme. Ky është niveli më i ulët i monedhës së përbashkët që përpara fillimit të pandemisë së Covid-19, në fillim të muajit mars 2020.

Me fillimin e kufizimeve në mes të marsit, euro kërceu vetëm për pak ditë mbi 130 lekë, si rrjedhojë e problemeve që shkaktoi karantina dhe bllokimi i fluturimeve në furnizimin e bankave me valutë. Më pas kursi u stabilizua duke u luhatur përgjatë gjithë vitit të kaluar midis 123-124 lekë. Euro nuk kishte sjelljen tradicionale gjatë periudhës së verës, kur tradicionalisht monedha e përbashkët humb pikë për shkak të ofertës nga emigrantët dhe turistët, pasi për shkak të turizmit të vakët, prurjet ishin në nivele më të ulëta. Vetëm në dhjetor 2020, euro ra për pak ditët nën 123 lekë.

Nënçmimi i monedhës së përbashkët gjatë javëve të fundit, sipas aktorëve të tregun valutore lidhet me faktorë të brendshëm, pasi në bursa euro ka qenë e fortë duke u luhatur ndaj dollarit në nivelet më të larta që nga janari i këtij viti.

Në tregun e brendshëm oferta e euros vijon të jetë e lartë, ndonëse sezoni turistik ende nuk ka filluar mire dhe përqendrimi i turistëve është vetëm në fundjavë, kryesisht nga Kosova. Në kahun tjetër, kërkesa për monedhën e përbashkët është e ulët dhe sipas aktorëve të tregut euro pothuajse nuk po tërhiqet, çka po bën që ajo të jetë e dobët në tregun vendas, ndonëse në bursa gjatë ditës së sotme ishte në rritje.

Në bursat ndërkombëtare, një euro u këmbye sot me 1.216 dollarë, me rritje 0.29% në raport me ditën e mëparshme. Euro u rrit sërish ndaj dollarit, pasi të dhënat në SHBA treguan për një ecuri të dobët të tregjeve të punës.