Eugen Pepaj: Zemra ime është kuqeblu. Ftoj tifozët nesër për të mbështur Vllazninë ndaj Tiranës…

Shpërndaje

Shoqata e basketbollit Vllaznia mund të merret si shembull për mënyrën si i mban raportet me tifozët shkodranë. Në momente të caktuara drejtuesit e saj kanë shpërndarë edhe fanella të personalizuara si dhuratë për disa prej tyre. Por jo vetëm kaq. Ata kanë shkuar sot edhe më tej.

Gjatë konferencës së shtypit të pragndeshjes me Tiranën, krahas presidentit Alban Xhaferi dhe kapitenit Robert Shestani, ka qenë edhe një tifoz, pikërisht Eugen Pepaj.

Ai ka marrë nga presidenti Xhaferi fanellën me numrin 6 (një numër kuptimplotë duke i konsideruar tifozët shkodranë si lojtarin e gjashtë të Vllaznisë).

Më pas, Pepaj ka dhënë edhe një prononcim për mediat kur është shprehur: “Jam krenar për klubin Vllaznia, krenar për kontributin që kam dhënë jo vetëm unë por të gjithë shokët e mi dhe për më tepër, krenar që vlerësohem nga një miku im i vjetër siç është presidenti Alban Xhaferi.

Përkrahja ime për vllazninë nuk ka munguar asnjëherë dhe nuk ka rëndësi stimuli i sotëm. Zemra ime është kuqeblu. Unë do të ftojë tifozët shkodranë që nesër ta mbushin këtë pallat sporti. Nesër luhet një klasike por në fakt unë e vlerësoj edhe më shumë se kaq këtë ndeshje ngaqë Vllaznia ka objektiv titullin kampion dhe duhet të luftojë fort në çdo ndeshje për arritjen e këtij objektivi.

Tifozët nesër do të kenë edhe një arsye më shumë për të qenë në pallatin e sportit “Qazim Dervishi” sepse nderohet një figurë e madhe e sportit, një figurë që i ka dhënë gjithçka basketbollit dhe Shkodra ia ka detyrim që ta respektojë nesër Bledar Gjeçajn”./shkodrasport/

Shpërndaje