Vijojnë kërkimet për gjetjen e babë e bir, të zhdukur një ditë më parë në Malësi të Madhe.
Pjetër Rushaj, 50-vjeç, po udhëtonte me një mjet, bashkë me 2 fëmijët e tij, teksa në vendin e quajtur “Grykë Lugje”, në njësinë Shkrel të Malësisë së Madhe, rrjedha e ujit të përroit ka marrë përpara mjetin e tyre.
Fatmirësisht, vajza e tij ka mundur të shpëtojë, ndërsa babë e bir ndodhen ende në ujë. Për gjetjen e tyre u angazhuan polumbarët e RENEA, grupi i evakuim-shpëtimit, si edhe grupi alpin i FNSH Shkodër.
Ndërkohë, sipas burimeve, këtë të hënë në ndihmë të tyre kanë zbritur edhe rreth 40 banorë të zonës së Thethit, që po bëjnë kërkime. Përveç kësaj, është mundësuar edhe përdorimi i dronëve për gjetjen e tyre.
Duhet theksuar se kushtet e motit e vështirësojnë së tepërmi gjetjen e 2 persona, teksa reshjet e shiut vijojnë të bien me intensitet të lartë në Qarkun e Shkodrës.