Presidenti turk Recep Tayyip Erdoğan kritikoi vendet perëndimore për heshtje ndaj masakrës në Palestinë, raporton Anadolu.
Duke folur në një samit urgjent të përbashkët të Ligës Arabe dhe Organizatës së Bashkëpunimit Islam (OBI) në kryeqytetin saudit Riad, Erdoğan tha: “Është turp që vendet perëndimore, të cilat gjithnjë flasin të drejtat dhe liritë e njeriut, heshtin për masakrën në Palestinë”.
“Kemi përballë një barbarizëm të paprecedentë në histori, ku spitalet, shkollat dhe kampet e refugjatëve po bombardohen dhe civilët po masakrohen”, shtoi ai.
Ai theksoi se është jetike dërgimi i karburantit në vendet në nevojë urgjente, veçanërisht spitalet në Gaza.
“Ne besojmë se duhet të krijohet një fond në kuadër të Organizatës së Bashkëpunimit Islam për rindërtimin e Gazës”, propozoi presidenti turk.
“Ata që heshtin përballë zullumit janë po aq partnerë në gjakderdhje sa edhe zullumqarët”, tha po ashtu Erdoğan.
Ai deklaroi se armët bërthamore, ekzistenca e të cilave pranohet nga ministrat izraelitë, duhet të hetohen.
Ndryshe, Mbretëria e Arabisë Saudite është nikoqire e një samiti të përbashkët të jashtëzakonshëm të Ligës Arabe dhe OBI-së.
Përfaqësuesit e botës islame po shkëmbejnë ide rreth hapave konkretë që do të ndërmerren në lidhje me zhvillimet e fundit.
Prej ditësh, ushtria izraelite ka përshkallëzuar sulmet e saj kundër spitaleve në Rripin e Gazës, duke ndërmarrë sulme të dhunshme që çuan në vdekje dhe plagosje, përveç shqetësimit të madh për fatin e personave të zhvendosur në ato spitale.
Të premten në mbrëmje, avionët izraelitë intensifikuan sulmet e tyre kundër spitaleve në Rripin e Gazës. Ata vazhduan sulmet e tyre në afërsi të Spitalit Al-Shifa, Spitalit Indonezian, Spitalit Al-Awda, Spitalit Al-Quds dhe Spitalit të Fëmijëve Al-Rantisi.
Të paktën 11.078 palestinezë, duke përfshirë 4.506 fëmijë dhe 3.027 gra janë vrarë nga sulmet izraelite në Rripin e Gazës që nga shpërthimi i konfliktit pas një operacioni ndërkufitar nga grupi palestinez Hamas më 7 tetor.