Epidemiologu Ilir Alimehmeti ka hedhur tezën se të gjitha bashkitë duhet të jenë të gjelbra
Përmes një postimi në rrjetet sociale, doktori ka argumentuar se përse qytetet si Tirana apo Kruja, të cilat sot janë brenda perimetrit të kuq, duhet t’u rikthehen normalitetit.
“Sipas vendimit normativ të Gjermanisë, që të shënohesh ‘zonë e kuqe’ do të thotë të kesh të paktën 50 raste të reja për 100.000 banorë në një javë. Po përdor indikatorin e Gjermanisë, pasi për Shqipërinë nuk është bërë publik informacioni mbi indikatorin e përdorur për të caktuar një bashki të kuqe apo të gjelbër.
Asnjë nga bashkitë e Shqipërisë nuk i përmbush këto kushte. Pra, sipas standardit të Gjermanisë, të gjitha bashkitë duhet të jenë të gjelbra.
Nisur nga numri i banorëve, numri minimal i rasteve për ‘bashkitë e kuqe’ është: Tirana: duhen 247 raste/javë dhe ka 21 raste (8.5%); Kamza: duhen 52 raste/ javë dhe ka 9 raste (17.3%); Shkodra: duhen 100 raste/javë dhe ka 6 raste (6.0%); Fieri: duhen 145 raste/javë dhe ka 5 raste (3.4%); Kruja: duhen 30 raste/javë dhe ka 14 raste (46.7%). Bashkitë e çuditshme të kuqe: Durrësi: duhen 88 raste/javë dhe nuk ka asnjë rast (0%). Kurbini: duhen 23 raste/javë dhe nuk ka asnjë rast (0%). Megjithatë, asnjë nga bashkitë e mëdha nuk duket të jetë afër pragut kritik.
Lirimi i masave po shoqërohet me mosrritje të rasteve të reja. Ky është një lajm shumë i mirë”, ka shkruar epidemiologu Ilir Alimehmeti.
Lidhur me atë që po ndodh sot në botë, ku disa vende janë më të goditura nga pandemia dhe disa më imune, doktor Alihmehmeti ka argumentuar se kjo mund të jetë për shkak të moshës mesatare të popullsisë, bujës mediatike, politikave të vaksinimit, por edhe faktit që popullata në vendet e varfra është më e ekspozuar ndaj viruseve, për pasojë sistemi imunitar më i përgatitur.
“Ky model i përhapjes shpjegon edhe fokusimin kaq të lartë politik dhe mediatik, duke qenë se shtetet e prekura kryesisht nga COVID-19 janë njëkohësisht edhe ato që kontrollojnë politikën dhe informacionin në nivel botëror. Ky paradoks shëndetësor mund të shpjegohet mbi bazën e një imuniteti më të lartë në shtetet dhe krahinat më pak të zhvilluara, duke qenë se sistemi imunitar i popullatës në to është vazhdimisht në kontakt me viruse dhe baktere të ndryshme. Hipoteza ka të shumta, duke përfshirë edhe regjimet e vaksinimit, por janë të gjitha ende nën studim dhe jemi në pritje të rezultateve që ende nuk janë në dispozicion.
Më pas të mos harrojmë diferencat madhore të moshave ndërmjet shteteve të ndryshme. Të gjithë tashmë e vërejmë qartë që COVID-19 godet kryesisht moshat më të mëdha. Si rrjedhojë, sa më e re popullata, aq më i ulët problemi i shkaktuar nga COVID-19. Si shembull mund të përmendim që Italia e ka moshën mediane 46.5 vjeç, Shqipëria 34.3 vjeç, ndërsa Republika Demokratike e Kongos e ka 16.7 vjeç. Pra, nuk ka asnjë diskutim që mosha më e re ka vepruar si element mbrojtës në shumë shtete me popullatë në moshë të re”, tha Alimehmeti.