Ka shkaktuar reaksione jo të pakta mesazhi i Jozefina Topallit, e cila në mënyrë të tërthortë ka paralajmëruar rikthimin në politikën aktive.
Edhe pse nuk ka qëndruar indiferente që prej largimit nga Lulzim Basha në vitin 2017, madje ka qenë një nga kritiket më të ashpra të kryetarit të PD-së, ish-kryetarja e Kuvendit, nuk është aktivizuar në asnjë formacion zyrtar politik në të djathtë apo qendër.
Jozefina Topalli përbën emrin politik të lidhur ngushtë me pushtetin e Sali Berishës për 8 vjet të pushtetit të tij; e ashpër dhe refraktare ndaj opozitës, ajo u kthye në simbolin politik të mazhorancës që “të nxjerr prej zhelesh” apo edhe “të jep plumbin Ballit”, deklarata që ajo i bëri në kulmin e pushtetit të saj nda opozitës.
Madje shkoi edhe më larg, kur u asocua në deklaratën e Sali Berishës duke mbrojtur qëndrimin politik të Kryeministrit më ngjaerjen e 21 janarit, por edhe pas tij, kundër Presidentit Topi dhe Prokurores së Përgjithshme, Ina Rama.
Gjatë opozitës së parë të PD-së pas 2013-s, Jozefina Topalli, edhe pse e ftohtë me Lulzim Bashën ishte një nga mbështetëset më të forta të diskursit politik të Sali Berishës në Parlament.
Në vitin 2017 Lulzim Basha e largoi nga forumet e partisë dhe nuk e kandidoi për deputete, dhe atëherë nisi beteja e saj kundër kreut të selisë blu.
Topalli, ndryshe nga ҫ’pritej nuk u anëtarësua në Bindjen Demokratike të Astrit Patozit një vit më parë, e as nuk u identifikua në lëvizjet e opozitës parlamentare të Murrizit dhe Rudina Hajdarit.
Por tani, Jozefina Topalli, ka publikuar një status në faqen e saj, që është marrë nga ndjekësit e saj si një mesazh i qartë politik. Bëhet fjalë për një foto mjaft të gjetur, ku 57-vjeҫarja, Topalli shfaqet si një modele, mjaft elegante dhe fotozhenike, ndanë një banese të vjetër shkodrane që nuk është gjë tjetër veҫse shtëpia e lashtë e familjes së saj në zemër të Shkodrës.
“Të gjithë kanë ikur nga shtëpia e dikurshme”, shkruan në mënyrë lakonike, ish-kreu i Kuvendit, që siҫ duket edhe mesazhin edhe foton e ka menduar mjaft me kujdes, sa menjëherë ajo bëhet virale.
Gati 5 mijë pëlqime dhe 300 komente, ku të gjithë e konsiderojnë këtë status një qëndrim politik.
Pse e ka shkruar Jozefina? Për kë po flet, kë do të lerë, ku do të kthehet? Që Jozefina Topalli ka uri për politikën kjo shihet qartë, që ish-kreu i Kuvendit e ka ende të riaktivizuar lobin politik në Shkodër, këtë e tregon edhe ngërҫi që PD-ja në qytetin verior ka që prej 2017-s, kur dhe iku ikona politike e PD-së në atë rajon.
Po si mund të konsiderohet mesazhi i Topallit në një realitet konkret, sidomos pas atij të sotëm kur Basha firmosi kthimin në politikën institucionale në vend?
E parë me kujdes, mesazhi i Jozefinës ka një luajalitet ndaj PD-së historike, edhe pse jepet me nota aristokratike në sjelljen e saj.
Topalli, megjithëse e kontestoi, kundërshtoi dhe qësendisi politikisht djegien e mandateve apo bojkotimin e zgjedhjeve lokale nga ana e Lulzim Bashës, ajo nuk bëri kurrë thirrje që të votohej në zgjedhjet e 2019-s, apo nuk krijoi formacion politik paralel me PD-në.
Pra ajo po kërkon të kthehet në një kontekst ku thjesht kundërshton lidershipin Basha, duke mos e prekur vetveten dhe grupin që ajo përfaqëson: “Shokët e Saliut”, që në fakt ka qenë një nga shkaqet e humbjes së PD-së në 2013-n.
Këtë herë ajo shpall se do të ikë nga PD-ja, nëse “shtëpia e vjetër” nuk ka vend për të. Dhe jo më kot, Topalli ka përcjellë imazhin e “kullës” së vjetër familjare. E famshme, me shumë histori, , por që sot është e vjetër, e braktisur, madje gati në rrënim.
Megjithëse nostalgjike, ajo shpall largimin nga “Shtëpia e dikurshme” tek një banesë të re. Largim që Jozefina e ka bërë prej kohësh, ku nga familja aristokratike e Ҫobajve, tregtarët numër një të veriut për disa shekuj, drejt familjes Topalli, një tjetër familje me emër.
Largim që Jozefina e ka bërë edhe konkretisht pasi jeton prej vitesh në kryeqytet dhe jo në Shkodër, megjithë lidhjet normale që ka me vendlindjen.
Kështu që mesazhi i saj nuk është gjë tjetër veҫse politik, një paralajmërim që ajo i bën ndjekësve të saj për të ardhmen politike në zgjedhjet e afërta parlamentare.
Po me kë do të jetë Jozefina: me Bindjen e Patozit, opozitën parlamentare të Murrizit apo Hajdarit, apo do të formojë një formacion të ri politik?
Pikërisht kjo është enigma e vërtetë e Jozefinës që nuk e shpjegon në statusin e saj, e ka shumë mundësi që ajo po eksploron pikërish të gjithë këto rrugë.
Mjaft ish-pushtetarë të PD-së kanë gjetur mundësi të riciklohen në politikë, duke dalë si “shpëtimtarë” apo të larë në një process politik që duket se nuk është gjë tjetër veҫse rikthim i elitave të vjetra, një ҫimentim i establishmentit…/GazetaShqip/