Ende asnjë vendim për rifillimin e mësimit, ministrja Shahini jep detaje

Shpërndaje

Ministrja e Arsimit, Besa Shahini ka theksuar se qarqet e paprekura nga tërmeti katastrofik i së martës, procesi mësimor do të nisë normalisht.

Gjatë mbledhjes së qeverisë mëngjesin e kësaj të diele ministrja Shahini është shprehur se në zonat e prekura nga termeti ku keni shpallur gjendjen e jashtëzakonshme të kemi një shtyrje të fillimit të mësimit.

“Kemi dy opsione, e para të fillojë mësimi në të gjitha qarqet e pa prekura dhe të bëjmë një shtyrje të fillimit të mësimit në zonat ku keni shpallur gjendjen e jashtëzakonshme. Një opsion i dytë, është që vetëm në Durrës të mos fillojë mësimi, dhe në Qarqet Tiranë dhe Lezhë të mos fillojë në shkollat e dëmtuara, por ky nuk është një opsion i preferuar, pasi do të sillte çakordim të procesit mësimor. I takon qeverisë që të marrë një vendim në fund të kësaj mbledhjeje”.

Gjithashtu ministrja bëri me dije se në Durrës janë 16 shkolla të dëmtuara, ndërsa në Tiranë janë 23 shkolla. Gjithashtu, si pasojë e tërmetit 10 shkolla janë dëmtuar në Lezhë, ndërsa të njëjtin fat kanë pasur edhe tre shkolla në Elbasan.

Ndërkohë në lidhje me shkollat e dëmtuara ministrja bëri me dije se Ministria kishte një plan zhvendosjeje të nxënësve.

Shpërndaje