EMRI/ Shkarkohet nga detyra Prokurori i Shkodrës…

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, ka shkarkuar nga detyra prokurorin e Shkodrës, Astrit Halilaj.

Trupa e KPK që kreu procesin e rivlerësimit kalimtar për prokurorin Halilaj kryesohej nga Genta Tafa Bungo, me relator Lulzim Hamitajn dhe anëtar Roland Ilian.

Gjatë seancës dëgjimore Halilaj dha shpjegime për mënyrën krijimit dhe përfitimit të disa pasurive të paluajtshme, burimet financiare dhe balancat negative të konstatuara gjatë hetimit administrativ.

Problemet kryesore që u evidentuan në seancë kishin të bënin me investimet e kryera gjatë periudhës 1995-2014 në një banesë me dy kate plus papafingo dhe burimet e krijimit të kësaj pasurie, me burimet për blerjen e një apartamenti plus parkim në Vlorë, për një makinë dhe dy njësi shërbimi të porositura nga vëllai në vitin 2000, të drejtat reale të të cilave i janë kaluar subjektit në 2014-ën, por pa dhënë gjë në këmbim.

Prokurori Halilaj e kundërshtoi analizën financiare dhe kërkoi që të ndiqet praktika e KPK-së për justifikimin e remitancave nga emigracioni.

Ndërkohë, Halilaj u vlerësua pozitivisht për pastërtinë e figurës, si dhe nuk u evidentuan probleme në kriterin profesional.

Astrit Halilaj e ka filluar karrierën si oficer i policisë gjyqësore në vitin 1993 dhe përgjatë dy dekadave ka mbajtur pozicione drejtuese në Policinë e Shtetit. Prej vitit 2016, ai punoi si prokuror pranë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër.