Seksioni për Krimin Ekonomik e Financiar në Policinë e Tiranës finalizon aksionin e koduar “Premtuesi”..
Në pranga ka përfunduar një 42-vjeçare, e cila prezantohej si punonjëse policie apo punonjëse e institucioneve të tjera dhe mashtronte shtetas të ndryshëm duke iu marrë shuma monetare.
Sipas asaj që raporton gazetari i ORA-s, Besar Bajraktari, bëhet fjalë për shtetasen e identifikuar si Elvina Lani.
Në cilësinë e provës material policia ka sekuestruar dokumente të ndryshme, një radio e ngjashme me atë të punonjësve të Policisë dhe sende të tjera të kundërligjshme.
Policia: Seksioni për Krimin Ekonomik dhe Financiar, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë, nisur nga kallëzimet e bëra nga disa pronarë dyqanesh për një shtetase që merrte produkte të ndryshme dhe nuk bënte pagesën, me pretendimin se ishte punonjëse policie ose funksionare në institucione të ndryshme shtetërore, ka organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Premtuesi ”, si rezultat i të cilit u arrestua shtetasja:
E. L., 42 vjeçe, banuese në Tiranë.
Kjo shtetase, duke u prezantuar si punonjëse policie apo me funksione në institucione të ndryshme shtetërore, shkonte në dyqane të ndryshme dhe merrte artikuj të ndryshëm pa bërë pagesën ose me justifikimin se do të paguante më vonë.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan një radio e ngjashme me atë të punonjësve të Policisë, pasaporta dhe dokumente të ndryshme identifikimi, një distinktiv dhe sende të tjera të kundërligjshme.