Shkodër/Kontrolle të shtuara në zbatim të planit operacional “Sundimi i ligjit”.
Kontrollet, bazuar në inteligjencën policore, me qëllim kapjen dhe arrestimin e shtetasve që qarkullojnë me armë, si dhe të atyre që janë në kërkim për vepra penale të ndryshme.
Kapet në flagrancë dhe vihet në pranga një 48-vjeçar që lëvizte me armë zjarri pistoletë me vete, në qytet.
Sekuestrohet arma e zjarrit pistoletë me krehër me municion luftarak, të cilën 48-vjeçari tentoi ta fshihte, kur pa punonjësit e Policisë.
Sekuestrohet edhe automjeti i këtij shtetasi.
Si rezultat i administrimit të menjëhershëm të inteligjencës policore, se një shtetas mbante armë zjarri, pa leje, shërbimet e Komisariatit të Policisë Shkodër kanë organizuar punën në kuadër të operacionit “Sundimi i ligjit” dhe kanë ndërhyrë menjëherë për arrestimin e këtij shtetasi.
Në bulevardin “Skënderbeu” është lokalizuar automjeti me drejtues shtetasin Helidon Marku, i cili sapo ka parë shërbimet e Policisë, ka dalë nga automjeti dhe është larguar afër një lulishteje ku ka tentuar të fshehë armën e zjarrit që mbante më vete. Si rezultat i veprimeve të shpejta policore është kapur shtetasi Helidon Marku, 48 vjeç, banues në lagjen “Ndoc Mazi”, i cili në përfundim të veprimeve procedurale u arrestua në flagrancë.
Arma e zjarrit pistoletë me municion luftarak dhe automjeti tip “BMW” që drejtonte ky shtetas, u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.