
Një aksident tragjik ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të sotëm në zonën e Peristerit në Athinë, ku ka humbur jetën taksisti shqiptar, Gentian Kamberi, 47 vjeç, nga Tirana. Kamberi, i cili udhëtonte me taksinë me targa TAB-3674, ka pasur një përplasje të fuqishme me një automjet tjetër me targa ITK-9340, që drejtohej nga 22-vjeçarja greke, Ekaterina Caci.
Drejtuesja e mjetit tjetër dhe dy pasagjerë të tjerë që ndodheshin në automjetin e saj janë plagosur lehtë. Policia greke ka nisur hetimet për të përcaktuar shkaqet e aksidentit, ndërkohë që një video e publikuar nga protothema.gr ka nxjerrë në pah shpejtësinë e lartë të mjetit të drejtuar nga vajza greke.
Sipas videos, makina e Cacit dhe dy miqve të saj ka kaluar në semafor të kuq dhe nuk ka ngadalësuar shpejtësinë, duke goditur me kokë taksinë, e cila lëvizte normalisht në drejtim të Petroupolit. Forca e përplasjes ka qenë aq e madhe, saqë taksia ka ndaluar në bordurë, ndërsa makina ka ngjitur një shtyllë. Kamerat e sigurisë në zonë kanë konfirmuar se taksia kishte përparësi pasi shoferi i saj udhëtonte me dritë jeshile.