EMRAT/ Shkatërrohet banda e drogës në Itali, në pranga 15 persona, 11 prej tyre janë shqiptarë

Shpërndaje

Një operacion anti-drogë është të martën (12 dhjetor) në Itali, i finalizuar me arrestimin e 15 personave, 11 prej të cilëve ishin shqiptarë. Sipas mediave italiane, bëhet me dije se aksioni është kryer në territoret e Foligno, Spoleto, Terni, Rimini dhe Bolonja. Grupi prej 15 personash akuzohen për trafik kokaine, posedim e tregtim droge, si dhe për armëmbajtje dhe municione.

Gjykata e Perugias ka lënë në burg 37-vjeçarin Domenico Di Rocco; 24-vjeçarin Elton Hoxha; 27-vjeçarin Ervìn Hoxha; 26-vjeçarin Festim Hoxha; 26-vjeçarin Renato Di Silvio; 24-vjeçarin Ardian Muca; 24-vjeçarin Xhekson Novi; 38-vjeçarin Durim Spanjolli dhe 23-vjeçarin Santiljano Mitai. Ndërsa ndaj 25-vjeçarit Zenel Huqi; 23-vjeçarit Franko Merxhani; 29-vjeçarit Marius Nuri dhe 50-vjeçarit Ivan Gentilucci u vendos masa e sigurisë “arrest shtëpie”.

Hetimet e autoriteteve italiane kanë nisur që në maj të 2020, periudhë në të cilën karabinierët zhvilluan shërbime të shumta në zonë me përndjekje; monitorime me GPS; kamera survejimi; e përgjime telefonike. Gjatë periudhës në të cilën u kryen hetimet, policia gjyqësore arrestoi në flagrancë 22 persona, sekuestroi rreth 9 kilogramë kokainë, 2 kilogramë heroinë, 2 pistoleta me 139 fishekë, 4 makina dhe afërsisht 13 mijë euro cash.

Autoritetet italiane kanë arritur në konkluzionin se grupi i trafikut të drogës ka arritur të hedhë në treg 150 kg kokainë në Umbria në një periudhë 8 mujore. Në veçanti, figurat që besohej se ishin drejtues të lartë të organizatës kishin aktivizuar një sërë kanalesh, përfshirë edhe të huaj, për furnizimin me lëndë narkotike të llojit kokainë.

Po ashtu, autoritetet kanë bërë me dije se të ardhurat e paligjshme të kësaj organizate trafiku droge, të vlerësuara në disa milionë euro, u riinvestuan në aktivitete tregtare në Umbria dhe në Shqipëri, e veçanërisht në bizneset e akomodimit të vendosura në resortet më të njohura bregdetare.

Pas kontrolleve të ushtruara në banesat e të arrestuarve u gjetën mbi 132 euro para të gatshme, tre libreza postare të kursimeve në të cilat janë depozituar gjithsej rreth 80 mijë euro, 21 telefona celularë, dy shënime të koduara, të shkruara me dorë, në lidhje me kontabilizimin e aktiviteteve të paligjshme dhe 3 ora me vlerë, dy prej të cilave janë Rolex.

Shpërndaje