Pesë persona janë arretsuar në zonën e “Freskut” në Tiranë këtë të martë. Raportohet se sektori i anti-trafiqeve ka mundur të sekuestrojë 11 kallashnikovë në bagazhin e një automjeti.
Dyshohet se kallashnikovët vinin nga Shkodra për t’u shitur në Tiranë.
Në kuadër të operacionit policor të koduar “Repishti” u arrestuan Sabian Hasaj, Redi Nika, Denis Hasaj, Denisa Halilaj, Mirjan Hasaj dhe Bilbil Aliaj.
Njoftimi i Policisë Tiranë
Finalizohet me sukses operacioni policor i koduar “Repishti”, në zbatim të masave të caktuara në planin operacional “Sundimi i ligjit”, për goditjet e rasteve të armëmbajtjet pa leje.
Operacioni u zhvillua nga Seksioni për Trafiqet e Paligjshme.
Trafikonin armë zjarri, nga Shkodra drejt Tiranës, vihen në pranga 5 shtetas.
Sekuestrohen 9 armë zjarri (4 automatikë, 5 pushkë), krëhra e municion luftarak, 2 automjete, dhe 5 aparate celular.
Shërbimet e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme në DVP Tiranë, në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, pas informacioneve të siguruara nga inteligjenca policore, për disa shtetas që dyshohej se transportonin armë zjarri, nga Shkodra drejt Tiranës, me qëllim shitjen e tyre, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Repishti”.
Si rezultat i tij në një parking në Rrugën e Rinasit, u kapën dhe u arrestuan shtetasit:
– S. H., 22 vjeç, R. N., 18 vjeç, D. H., 22 vjeçe, D. H., 18 vjeç, dhe M. H., 26 vjeç, të gjithë banues në Malësi të Madhe.
Shërbimet e Policisë kanë lokalizuar automjetin tip “BMW” me drejtues shtetasin M. H. Gjatë kontrollit të automjetit dhe në një valixhe në bagazh, u gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale 9 armë zjarri (4 automatikë dhe 5 pushkë) me krëhër e municion luftarak.
Nga verifikimet e kryera ka rezultuar se këta shtetas pasi i kishin siguruar armët në Shkodër, i kishin sjellë në Tiranë për ti shitur tek persona të tjerë.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale.