EMRAT/ Flakadanët dhe tensionet në Kuvend, PS kërkon përjashtimin e 5 deputetëve demokrat…

Shpërndaje

Partia Socialiste ka kërkuar masë disiplinore për 5 deputetë të opozitës pas kaosit të krijuar në Kuvendin e Shqipërisë gjatë seancës së të hënës (20 nëntor).

Mazhoranca ka mbledhur firmat dhe kërkesa është depozituar në Komisariatin e Etikës që pritet të marrë sot (22 nëntor) vendimin.

Deputetët për të cilët është kërkuar marrja e masës disiplinore janë:

Gazment Bardhi

Albana Vokshi

Flamur Noka

Bledion Nallbati

Sorina Koti

Kaosi në Kuvend

Për herë të parë në historisë parlamentare, projekti ekonomik më i rëndësishëm, buxheti i shtetit, u miratua pa asnjë debat dhe seanca zgjati vetëm 5 minuta, për shkak të kaosit të krijuar gjatë seancën nga opozita, e cila vazhdon të protestojë në Kuvend pas refuzimit të komisioneve hetimore.

Në mes të zhurmës dhe tymit, kryeparlamentarja Lindita Nikolla rreshtoi pikat e rendit të ditës dhe miratoi projektbuxhetin e vitit 2024 me 83 vota pro.

Ndryshe nga herët e shkuara, deputetët opozitarë në seancën e djeshme nuk hodhën një, por disa tymuese në sallën e Kuvendit të Shqipërisë. Një prej tyre madje mori edhe flakë, të cilat fatmirësisht u shuan shpejt. Seanca e djeshme, e cila ishte parashikuar të ishte maratonë për shkak se do të votohej buxheti për vitin 2024, zgjati rreth 5 minuta. Kryeparlamentarja Nikolla u përpoq ta kthente seancën në normalitet duke u bërë thirrje deputetëve të opozitës.

“Kolegë deputetë, qytetarët kërkojnë të dëgjojnë buxhetin e tyre, pse nuk doni të flasim për rritjen e pagave?! Ju bëj thirrje të vijojmë me diskutimet për buxhetin siç qytetarët e meritojnë! Qytetarët duan të dëgjojnë, ju ç’keni, pse doni të heshtni sot, pse nuk doni të diskutoni”, tha ajo mes të tjerash.

Megjithatë, apeli i saj ishte i kotë. Në këtë pikë, Nikolla kaloi për votim në parim projektligjet e parashikuara që kaluan me votat e mazhorancës. Nikolla përjashtoi nga seanca deputetin e PD-së, Flamur Noka, pasi ky ishte ky i fundit që hodhi tymuesen në sallën e Kuvendit. Për herë të parë në historinë e parlamentit shqiptar u vendos një rekord i ri, ai i miratimit të projektbuxhetit dhe paketës fiskale në vetëm 5 minuta, ndërkohë që për çdo vit, shqyrtimi i tyre ka kaluar pas seancash maratonë, që kanë zgjatur për dy ditë.

Opozita ishte përgatitur për ta bllokuar këtë seancë, ndërsa shumica për të kundërtën, për ta miratuar projektbuxhetin me çdo kusht. Pavarësisht tymuesve të shumta, që kësaj herë rrezikuan që të digjnin sallën e seancës plenare pasi njëra prej tyre shpërtheu në flakë, kryeparlamentarja kaloi çdo akt me shpejtësi pa parë nëse po merrnin shumicën e kërkuar, pasi tymi pengonte pamjen e qartë. Opozita, e cila që në hyrje në sallën e Kuvendit u përlesh me punonjësin e Gardës, kontestoi votimin si antikushtetues. Sali Berisha e quan nul miratimin e projektbuxhetit.

Shumica mendon se kjo e sotmja ishte përgjigja e vetme që meriton opozita, që po provokon skena të tilla në Parlament. Sipas saj, buxheti nuk po kalon pa transparencë, pasi është shqyrtuar me hollësi në komisionet parlamentare. Opozita deklaron se do të vijojë aksioni i tyre, duke ndjekur edhe hapa të tjerë institucionalë. I pranishëm në sallë ishte edhe kryeministri Edi Rama. Menjëherë pas mbylljes së seancës, që zgjati vetëm 5 minuta, Rama u largua. Kryeministri fillimisht përdori përshëndetjen ushtarake edhe më pas “OK” ndaj deputetëve të opozitës.

Por në largim Edi Rama u has në një tjetër situatë. Duket se ndaj tij u hodh një send.

Megjithëse sendi nuk mund të dallohet në kamera, lëvizjet e kreut të qeverisë dhe të një punonjësi të Gardës e tregojnë diçka të tillë. Ky i fundit vendosi një dosje pas Ramës teksa ai largohej. Po ashtu, ministrja për Parlamentin, Elisa Spioropali, u pa teksa u drejtohet deputetëve të opozitës pas kësaj situate. Pavarësisht kësaj, Rama u largua qetësisht nga salla.

Kreu i mazhorancës reagoi pas seancës së shkurtër parlamentare, ku mes kaosit u votua në parim buxheti i vitit 2024. Kreu i qeverisë ka komentuar veprimet e opozitës për të cilët thotë se kanë prekur fundin dhe se “i ka marrë me vete halli i një të kërkuari nga drejtësia”.

“I futën fjalorin e sjelljet e rrugës në politikë, ndërsa politikën e hodhën në mes të katër rrugëve, duke mbjellë sherr, rrëmujë, dhunë dhe korrur humbje, humbje, humbje… Tanimë kanë prekur fundin, ku i ka marrë me vete halli i një të kërkuari nga drejtësia, që nuk do t’i lëshojë derisa të shkërmoqen e të ridalin copa e çika mbi ujë, si mbeturinat e një anijeje të mbytur”, – shkruan Rama në “Twitter”.

Prej disa javësh, deputetët e opozitës kanë vijuar me atë, që ata e konsiderojnë protestë për të drejtat kushtetuese duke mos lejuar zhvillimin normal të Kuvendit.

Shpërndaje