Pas Deian Boldor dhe Besnik Feratit, te ekipi i Partizanit kanë rezultuar pozitiv me COVID-19 dhe tre futbollistë të tjerë.
Lajmin e ka konfirmuar vetë klubi i kuq, i cili bën me dije se bëhet fjalë për Erald Çinari, Esat Mala dhe Kristi Koten. Mësohet se ata janë asimptomatik dhe janë vetëkarantinuar në banesat e tyre.
Sot është programuar për t’u luajtur derbi përballë Tiranës dhe nisur nga ajo çfarë thuhet në njoftim nuk do të ketë një shtyrje të këtij dueli. Partizani shprehet se pavarësisht mungesave ekipi është i gatshëm për të dhënë maksimumin.
Gjithsesi vendimin zyrtar pritet ta japë Federata Shqiptare e Futbollit.
NJOFTIM:
FK Partizani njofton rezultatet e testeve të kryera nga ekipi për COVID-19. Në total janë kryer 50 tamponë dhe nga përgjigjet zyrtare të konfirmura nga ISHP (Insituti Shëndetit Publik), tre pjestarë të ekipit Erald Çinari, Esat Mala dhe Kristi Kote kanë rezultuar pozitiv me COVID-19 dhe janë asimptomatikë. Pjesa tjetër e skuadrës, stafi dhe punonjës të klubit kanë dalë negativ.
Në zbatim të protokollit të miratuar nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, lojtarët janë izoluar dhe nuk do të jenë pjesë e skuadrës për ndeshjen e radhës. Ekipi gëzon gjendje optimale dhe panvarësisht mungesave është gati për të dhënë maksimumin në derbin me Tiranën