Katër anëtarë të një bande shqiptare që drejtonte trafikun e drogës në Preston dhe Chorley, janë dënuar me 24 vite burg nga një gjykatë në Angli. Sipas medieve të huaja, ata kishin një skemë të ngjashme me “shërbimin taksi” që funksiononte 24 orë në 7 ditë të javës.
Banda kishte një qendër telefonike në Manchester dhe kushte punësuar një rrjet korrierësh që punon me turne nga 12 orë për të shpërndarë lëndën narkotike te klientët e tyre. Korrierët ishin kryesisht nga Shqipëria dhe vende të tjera të Europës, të cilët përdornin dokumente të rreme me identitete italiane për ta shmangur Policinë.
Kreu i bandës, sipas mediave britanike ishte shqiptari 35-vjeçar Bekin Hasmehaj i cili e kishte kthyer trafikun e drogës në biznes familjar.
Një tjetër drejtues i bandës, Albi Hoxhaj, 36 vjeç, drejtonte një nga qendrat e drogës në Mançester, i cili përgjatë një periudhe gjashtëmujore drejtoi korrierët për të shpërndarë drogën në zonat e Preston dhe Chorley.
I arrestuari tjetër, Klevis Prensi, 33 vjeç, ka qenë i afërt me familjen Hasmehaj ndërsa shtëpia e tij përdorej për peshimin dhe paketimin e drogës. Altin Nikolli, 37 vjeç, i dënuari tjetër ka punuar në një nga qendrat e marrjes së telefonatave të klientëve për një muaj në fund të vitit 2019.