EMRAT/ Aksioni në Malësi të Madhe, 6 të arrestuar dhe 3 të shpallur në kërkim

Shpërndaje

SPAK ka lëshuar 9 urdhër-arreste për një grup kriminal që merrej me kultivimin e drogës në sasi të mëdha në Berat, ku u zbuluan 8 dynym sera të mbjella me kanabis. Gjashtë persona janë arrestuar tashmë, ndërsa tre të tjerë janë shpallur në kërkim. Rreth dy vite më parë, në Berat u zbuluan serat e kanabisit ndërsa procedimi filloi për 11 persona.

Masat e sigurisë që u ekzekutuan sot:

– Sadetin Hasaj banues në Koplik, Malësi e Madhe;
– Arben Vrapi banues në Drenovicë, Berat;
– Mustaf Manej banues në Gruemirë, Malësi e Madhe;
– Lulezim Bushataj banues në Demiraj, Malësi e Madhe;
– Suad Smakaj banues në Demiraj, Malësi e Madhe;
– Adiol Çifliku banues në Vodëz, Kuçovë, Berat,

Njoftimi i SPAK:

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, në kuadër të ndjekjes penale të procedimin penal Nr.5, viti 2023, paraqiti para Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, kërkesën për caktimin e masës së sigurimit personal “arrest në burg”, parashikuar nga neni 238 i Kodit të Procedurës Penale, ndaj 9 (nëntë) personave.

Me vendimin Nr.41, datë 22.04.2024, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, ka vendosur caktimin e masës së sigurimit personal “arrest në burg”, të parashikuar nga neni 238 i Kodit të Procedurës Penale, ndaj 9 (nëntë) personave nën hetim.

Në datën 24.04.2024, hetues të Byrosë Kombëtare të Hetimit, në bashkëveprim me oficerë të policisë gjyqësore në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, ekzekutuan masat e sigurimit personal “arrest në burg” ndaj 6 (gjashtë) personave nën hetim, konkretisht:

– Sadetin Hasaj banues në Koplik, Malësi e Madhe;

– Arben Vrapi banues në Drenovicë, Berat;

– Mustaf Manej banues në Gruemirë, Malësi e Madhe;

– Lulezim Bushataj, banues në Demiraj, Malësi e Madhe;

– Suad Smakaj, banues në Demiraj, Malësi e Madhe;

– Adiol Çifliku banues në Vodëz, Kuçovë, Berat,

Ndërkohë është bërë shpallja në kërkim për 3 (tre) persona të tjerë, ku gjatë kontrolleve nuk është bërë e mundur gjetja e tyre dhe ekzekutimi i vendimit të gjykatës për caktimin e masës së sigurimit personal “arrest në burg”.

Krahas kësaj, sot më datë 25.04.2024, në zbatim të vendimit Nr.246, datë 23.04.2024, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, u kryen kontrolle në 9 (nëntë) banesa të personave nën hetim, për të cilët është proceduar më herët, konkretisht:

– B.XH. banues në Nikël, Krujë;

– E.Xh. banues në Nikël, Krujë;

– S.B. banues në Shëngjin, Lezhë;

– J.U. banues në Koplik i Sipërm, Malësi e Madhe;

– M.D. banues në Nikël, Krujë;

– H.D. banues në Drenovicë, Berat;

– S.L. banues në Dobraç, Shkodër dhe ndaj dy personave të tjerë:

– S.Ç. banues në Lapardha, Berat;

– E.T. banues në Vodëz (Kuçovë) Berat.

Gjatë këtyre kontrolleve, në banesën e njërit prej të hetuarve më parë, u gjetën dhe u sekuestruan 30 kubikë me fidanë kanabisi dhe fara kanabisi të kultivuara në ambient të mbyllur brenda njësisë së banimit, në katin e tretë, ku kishte instalime elektrike dhe pajisje elektrike (llampa) dhe mushama reflektuese. Në përfundim të kontrolleve janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e sendeve prova materiale: 33 aparate celularë të llojeve e modeleve të ndryshme, 1 DVR, 1 laptop, 1 kartë memorie dhe 5 automjete.

Të arrestuarit e lartpërmendur dyshohen për kryerjen e veprave penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, e kryer në formën e posaçme të bashkëpunimit, “Grup i Strukturuar Kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal”, të parashikuara nga nenet 283/2, 28/4, 333/a dhe 334 të Kodit Penal, për ngjarje të verifikuar më datë 10.11.2022, në fshatin Rërëz (Berat), ku në një territor të hapur, u gjetën të ngritura 4 (katër) sera të mbyllura me plastmas, në sipërfaqen e të cilave u evidentua e instaluar linjë elektrike dhe linjë e furnizimit me ujë, përmes një pompe thithëse që furnizohej nga një kanal vaditës përballë serave, tek të cilat u gjetën 769 arka plastike, 11 thasë plastmasi të zinj, të mbushur me material bimor lëndë narkotike cannabis sativa, me peshë totale 871.4 (tetëqind e shtatëdhjetë e një) kg, kërcej bimësh e pleh kimik, peshore elektronike, gërshërë metalike, dyshekë e jorganë, armë zjarri, aparate celularë, që i’u sekuestruan, ku u arrestuan dhe po hetohen edhe aktualisht me masa të ndryshme sigurie 11 (njëmbëdhjetë) persona. Gjithashu këtu u identifikuan si punëtorë në sera edhe 95 (nëntëdhjetë e pesë) persona të gjinisë femërore.

Ndaj të arrestuarve të djeshëm (disa nga Malësia e Madhe dhe të tjerë nga Kuçova e Berati) ka dyshime të bazuara në prova se në bashkëveprim në grup të strukturuar kriminal, në muajt maj/qershor 2022, ndërmorën një veprimtari të mirëmenduar më parë, për marrjen me qera të disa parcelave toke në Rërëz, Berat, ku pasi ngritën 4 sera për kultivimin e bimëve narkotike, instaluan një linjë furnizimi me ujë dhe një linjë me instalim të pajisjeve elektrike, dhe me të gjitha pajisjet e duhura, për kultivimin e bimës cannabis sativa, e ndërsa në periudhën shtator-tetor-nëntor, organizuan punën për procesin e tharjes, pastrimit e paketimit të sasive të lëndës narkotike, me qëllim shitjen e mëtejshme të tyre. Për realizimin e këtij aktiviteti të paligjshëm ata rekrutuan si krah pune, persona të gjinisë femërore nga qyteti e rrethinat, të cilat edhe i paguanin për punën që kryenin, duke u mbuluar të gjitha shpenzimet e transportit, e të tjera nevoja. Në sera kishin krjuar edhe fjetore në 81 dyshekë me ajër. Për mbrojtjen e aktivitetit të paligjshëm kishin siguruar dhe armë zjarri, disa prej të cilave u sekuestruan.

Më konkretisht, i arrestuari S.H., shfaqet si organizator e drejtues i aktivitetit të kultivimit të bimëve narkotike në sera, i cili kujdesej për mirëfunksionimin e sistemit ujitës e vaditës në sera dhe për shpenzimet për mjete pune, ushqime, medikamente për bimët, si dhe për pagesat e punëtorëve në sera, ku siguronte dhe armë zjarri për sigurinë e serave dhe të lëndës narkotike cannabis sativa. I arrestuari A.V., ka vënë parcelat dhe tokat në dispozicion të kultivuesve e prodhuesve të lëndëve narkotike, i cili gjithashtu ishte i përfshirë aktivisht në veprimtarinë prodhuese të narkotikëve. I arrestuari M.M., bashkëvepronte për sigurimin e lëvizjes së personave (kryesisht të gjinisë femërore), të cilat kanë punuar në sera për të pastruar bimët narkotike cannabis sativa dhe ishte aktiv në instalimin e pajisjeve në sera. Edhe i arrestuari L.B., shfaqej aktiv në transportimin e fuqisë punëtore nga qytete e rrethina në Drenovicë, Berat. Të njëjtat aktivitete kryenin edhe të arrestuarit S.S. e A.Ç., të cilët siguronin mjetet e pajisjet e nevojshme (gërshërë, thasë, qese etj.), për mbarëvajtjen e aktivitetit, si dhe ushqime për fuqinë punëtore.

Hetimet paraprake lidhur me këtë procedim penal ende nuk kanë përfunduar, por vazhdon të hetohet për fakte të tjera penale, apo për persona të tjerë që mund të përfshihen në objektin e hetimeve të këtij procedimi penal.

Shpërndaje