21-vjeçari që vrau me armë zjarri oficerin Saimir Hoxha në Lezhë, ka ndërruar jetë mëngjesin e kësaj të mërkure në spitalin e Traumës në Tiranë.
Gjatë operacionit të RENEA-s për arrestimin e tij, Aldi Rama ka qëlluar veten me pistoletë.
Ngjarja e rëndë ka ndodhur një ditë më parë ku pesë policë shkuan për të asgjesuar një parcelë me 110 bimë kanabisi.
Në kthim ata u ndeshën me një automjet të ndaluar në të cilin gjendeshin tre të rinj.
Oficeri që u vra Saimir Hoxha i kërkoi dokumentet 21-vjeçarit Aldi Rama, por ky i fundit refuzoi dhe e qëlloi me plumba në qafë e gjoks.
Polici ndërroi jetë rrugës për në spital, kurse Rama mori automjetin dhe u largua me shpejtësi duke rrezikuar edhe jetën edhe të dy kolegëve të tjerë të Hoxhës.
Ata e qëlluan nga mbrapa duke u çarë një gomë të automjetit dhe ai u detyrua ta braktisë duke u fshehur në një zonë me bimësi për disa orë derisa vendosi të qëllojë veten dhe mbeti i plagosur.
Policia e lokalizoi dhe e dërgoi në spital, ku dhe humbi jetën.