Ekzekutimi i Emiliano Ramazanit dhe Regis Runajt/ Rrëfimi i të penduarit në Elbasan: 100 mijë € për dy vrasje

Shpërndaje

Erjon Alibej, besohet se ka paguar 100 mijë euro për të ekzekutuar Emiljano Ramazanin dhe shokun e tij, Regis Runaj, ngjarje të ndodhura në 20 dhe 30 korrik në qytetin e Elbasanit.

Një fakt i tillë mbi vlerën e pagesës, ka dalë gjatë dëshmisë së bashkëpuntorit të prokurorisë së Elbasanit, Euglen Halili, i cili u ka treguar hetuesve se nga bisedat që ka zhvilluar me bashkëpunëtorin në vrasje, Xhuljano Hoxha, ky i fundit i ka treguar se do merrnin 100 mijë euro, për të kryer vrasjen e Ramazanit dhe Regis Runaj, të dy personazhe që njihen në Elbasan, si shpërndarës dhe konsumatorë kokaine.

Deri në këtë fazë të hetimit, Prokuroria e Elbasanit nuk ka mundur të gjejë dhe sekuestrojë një sasi të tillë eurosh, por është e bindur se vrasja e dy të rinjve në Elbasan është kryer nga vetë shokët e tyre, për qëllime përfitimi.

Dëshmitari i mbrojtur Euglen Halili, ka treguar se Erjon Alibej ndryshe thirret dhe me emrin Agim Shurbi. Ky personazh mësohet se që prej muajit, Maj 2020 është marrë i pandehur për akuzën e “Kanosjes me armë” dhe “Mbajtjes pa leje të armëve e municioneve”, por çuditërisht gjatë kësaj kohe ka qenë i lirë, madje duke pasur mundësi edhe që të organizojë vrasjet.

Lirimi i tij është kryer nga Gjykata e Elbasanit në muajin Shkurt 2020, ndërkohë vetë Alibej alias Agim Shurbi, ishte ndaluar në janar të vitit 2019. Ai ka qëndruar vetëm 1 vit në burg, pasi në 17 shkurt është liruar nga qelia duke u lënë në masën e “arrestit shtëpiak”. Por kjo masë sigurimi, duket se nuk e ka penguar aspak Erjon Alibej të përfshihet në ngjarjet kriminale, ku së fundmi akuzohet nga prokuroria si financuesi i vrasjes së Emiljano Ramazanit (Ilit) me 5 plumba dhe shokut të tij Regis Runaj me 27 goditje thike.

Ndërkohë për ngjarjen që Erjon Alibej alias Agim Shurbi është marrë i pandehur për akuzën e “Kanosjes me armë” dhe “Mbajtjes pa leje të armëve”, ka ndodhur në vitin 2018 në Elbasan, ku Alibej ka qëlluar plot 3 herë me pistoletë në drejtim të Xhon Rustës. Rusta është plagosur lehtë me dy plumba në vithe dhe një që e ka prekur në bark. Shkak i kësaj përplasje me armë ka qënë se Xhon Rusta, e ka parakaluar me makinën tip “Audi” Enea Alibej./ Shqiptarja.com

Shpërndaje